Lajme

“Më kanë bërë dhunues grash, drogaxhi e hajdut”, Rama ka një mesazh për qytetarët

01/12/2025 13:20
nga:G C

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së fundmi ka folur në lidhje me kallëzimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit për vëllanë e tij, Olsi Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se SPAK-u nxori përfundimin se Olsi Rama nuk është përfshirë në laboratorin e Xibrakës.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Rama u thotë “mbylljani derën në zgjedhjet këtij llumi e këtyre shpifarakëve”.

Ndër të tjera kryesocialisti thotë ‘më kanë bërë dhunues grash, drogaxhi, hajdut dhe homoseksual’.

Pjesë nga fjalimi i Ramës përmes Facebook-ut:

Ky mesazh, është në radhë të parë një detyrim, ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur tërë këto vite, duke më dhënë votën tyre, qoftë edhe njëherë qëkur jam në arenë, e mbi të gjitha ndaj familjes sime – atyre që kam pranë dhe atyre që s’janë më me ne, pa të cilët as do isha ky që jam, as do isha këtu ku jam.

Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!

Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama.
E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh.
Në atë dosje u flitkërkesh edhe për një person të paidentifikuar, i cili nuk është gjetur nga prokuroria. Sipas këtij zotërisë, që vetëm zotëri nuk është, ky personi qenkërkesh im vëlla.
Madje, gjithnjë sipas tij, dy prokurorët e dosjes e paskeshin fshehur identitetin e tim vëllai, në këmbim të favoreve të marra prej meje, që i paskesha promovuar në karrierë që të dy, për këtë favor kriminal.

Nuk jam shpjeguar deri më sot.

Ndërkohë që ky palo djalë bashkë me tutorin e tij, nuk kanë lënë rast pa e rihedhur në publik këtë jashtënxjerrje të shpifur, kam bërë durim, shumë durim. S’kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë drejtësia me provat e veta.

Më në fund, pasi ka pyetur këdo ka parë të arsyeshme dhe ka hetuar gjithçka ka konsideruar të nevojshme, SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.

Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik.

Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.

Unë nuk ve baste. Por jam gati të ve bast se nuk ka një akuzë të mundshme që të mos më ketë ardhur nga ajo zorrë në tërë këto vite.
Ja një bilanc shumë i shkurtër dhe ju vendoseni vetë nëse ka mbetur gjë akoma pa më akuzuar.

Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim.

Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor.

Ndërsa po, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.

Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë.

Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve!

Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time.

E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cënonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.

Nëna ime e ndjerë, u ndje aq e lënduar sa e çoi edhe në gjyq, katranin e madh.

Po e dini çfarë ndodhi?

Ai çoi avokatët për të bërë paqe, se “kështu e ka politika dhe se ai paskesh madje shumë respekt për të si mjeke”.
Dhe kur gruaja krenare, e dhunuar në dinjitetin e saj, nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjykatëse katran, e cila me një vendim poshtërues, i vuri kapakun atij maskarallëku.

“I padituri ka ushtruar lirinë e tij politike!”

Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh.

Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike.

Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku.

Jo, nuk kam pasur dhe as kam dashur ndonjëherë të kem ndonjë apartament tjetër, përveç atij tek parafabrikatet qysh në kohë të komunizmit, dhe pastaj atyre ku kam jetuar me qira kur isha ministër kulture e kryetar bashkie. Ashtu i shihja gjërat kur isha më i ri, ende s’e kisha familjen që kam fatin të kem sot – doja të isha njeri i lirë nga çdo lidhje apo pronë e patundshme.

Pastaj, kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë edhe ne një shtëpi tonën, në periferi të Tiranës, siç janë bërë qindra, mijëra familje të tjera shqiptare në tre dekadat e fundit.