Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se më 9 shkurt, shteti do të kthehet të ata të cilët, sipas tij, u lanë në harresë nga qeveria aktuale.
Kreu i LDK-së ka vlerësuar lart kontributin e ndërmarrësve, inovatorëve, mësuesve, mjekëve, zjarrfikësve, shërbyesve publikm policëve, ushtarëve, përpjekjen e sportistëve e artistëve dhe secilit individ tjetër në shoqëri.
“Kam parë dhe betejën e ndërmarrësve e inovatorëve që nuk kanë projekte zhvillimore në shtetin që i konsideron si shkatërrimtarë të vetmit që krijojnë! Në shtet, shtetin e tyre, në qeveri, në qeverinë e tyre, të njëjtit duhet të gjejnë partner, mbështetës e mbrojtës – sikurse secili ndërmarrës tjetër kudo nëpër botë!
Kam parë përpjekjen e mësuesve, mjekëve, zjarrfikësve, shërbyesve publik, kam parë përpjekjen e policëve, ushtarëve, përpjekjen e sportistëve e artistëve e secilit tjetër në këtë shoqëri, që e bën atë çfarë ne quajmë sot Kosovë. Kam parë, mbi të gjitha, betejën e atyre të lënë në harresë e nevojë!
Të gjithë këta, shtetin e kanë, por shteti nuk është për ta. Më 9 shkurt, shteti kthehet te ta!” – tha ai.