Partia Demokratike e Kosovës zyrtarisht ka nisur fushatën e saj zgjedhore, për zgjedhjet qendrore të 9 shkurtit.
Qindra qytetarë, përkrahës të partisë, janë tubuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, për të ndjekur nga afër shpalosjen e programit në krye me Bedri Hamzën, si dhe prezantimin e kandidatëve për deputet, nga radhët e kësaj partie.
Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, deklaroi se lista e PDK-së është më e mira për këto zgjedhje.
“Kjo listë është e personaliteteve të jashtëzakonshme, me kontribute të jashtëzakonshme. Kjo është lista e qytetarëve të Kosovës, lista e fitores”, u shpreh ai.
Krasniqi deklaroi se ka besim të plotë te secili kandidat i propozuar nga PDK-ja, duke thënë se në krye me Bedri Hamzën janë më të gatshëm dhe më të bashkuar se kurrë për misione të reja.
Brohoritjet “UÇK” u dëgjuan përgjatë tubimit, që Memli deklaroi se është ADN-ja e kësaj partie, me të gjithë pjesëmarrësit që u ngritën në këmbë për të nderuar komandantët e Ushtrisë.