Specialisti i cilësisë së ajrit, Shkumbin Shala, ka ngritur shqetësime për ndotjen e ajrit në Kosovë, veçanërisht në ndërrimin e motmoteve, kur u shënuan nivele rekord të parametrave ndotës.
Ai theksoi se ndotja e ajrit është rezultat i faktorëve të shumtë, si ata natyrorë ashtu edhe antropogjenë, të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.
“Ndërrimi i viteve ka sjellë një situatë alarmante, ku ndotja ka arritur dyfishin e tejkalimeve standarde. Trafiku, sidomos në Prishtinë, është ndër kontribuuesit kryesorë”, tha Shala, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, duke shtuar se mungesa e planifikimit urban dhe përdorimi i automjeteve të vjetra janë ndër faktorët më të rëndësishëm.
Megjithëse ka pasur përmirësime të ndjeshme gjatë viteve të fundit, Shala përmendi se ndotja mbetet një problem serioz.
“Në vitet 2010-2012 kishim deri në 120 ditë me tejkalime të ndotjes, ndërsa tani kemi rreth 35-36 ditë. Por kjo nuk duhet të na krijojë komoditet” tha ai.
Shala rekomandon ndërmarrjen e masave konkrete për menaxhimin e trafikut në zonat urbane dhe një planifikim më të mirë për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.