Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve për 20 përqind për kategoritë e dala nga lufta, duke e cilësuar këtë si një mashtërim për veteranët e luftës, shkruan GazetaBlic.
Klinaku ka theksuar se, pasi veteranët e UÇK-së janë përjashtuar nga paga minimale në Kosovë prej 350€, ata aktualisht përfitojnë vetëm 170€, çka përbën një zbritje prej 180€.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë për një rritje prej 20% e cila do të përkthehet në vetëm 34€, është një shifër e pamjaftueshme dhe që nuk zgjidh asgjë për veteranët, të cilët do të marrin 204€ në vend të 350€.
“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€.Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350€, tash do t’i marrin 204€”, shkroi ai në Facebook.
Tutje ai thotë se “Nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij, por kaluan katër vite dhe çështja e “verifikimit” të veteranëve nga kjo Qeveri ka qenë vetëm farsë e që i është dashur dhe i duhet vetëm për opinionin publik, çështje e cila është e një procesi gjyqësor i cili nuk ka përfunduar ende”.
Po ashtu ai kërkonë që veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre që të mos i besojnë më mashtrimit.
“Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre, është që mos t’i besojnë më mashtrimit”, përfundoi ai.