Lajme

Një tërmet i lehtë regjistrohet në Mal të Zi

01/10/2025 10:09
nga:N K

Sektori i Sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji në Mal të Zi ka regjistruar një tërmet të lehtë në orën 09:18 me epiqendër pesë kilometra në jugperëndim të Poborit (Budvë).

“Magnituda e këtij tërmeti në hipoqendër (fokus) ka qenë 2.8 ballë të shkallës Rihter, që i përgjigjet një intensiteti epiqendror IV-V në shkallën Mercalli (MCS). Fokusi i këtij tërmeti ka qenë në thellësinë 10 kilometra”, thuhet në faqen e internetit të Institutit.

Bazuar në një model numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet nuk mund të kishte shkaktuar dëme materiale në zonën epiqendrore.