Lajme

Komisioni i Përbashkët për të pagjeturit pritet të takohet deri më 16 janar

01/09/2025 23:37
nga:G C

Në dhjetorin e vitit që lamë pas, në kuadër të takimit në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, u arrit marrëveshja për të pagjeturit.

Ky dakordim ka për qëllim krijimin e një komisioni të përbashkët ndërmjet të dyja vendeve, të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian, si garantues i kësaj marrëveshjeje.

E po ashtu aty saktësohet se që nga nënshkrimi i marrëveshjes, brenda një muaji duhet të mbahet takimi i parë ndërmjet palëve.

Lidhur me mundësinë e mbajtjes së këtij takimi, në një deklarim për RTK-në, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, tha se më së voni deri më 16 janar pritet të zhvillohet takimi i parë në Bruksel.

“Ky komisioni i përbashkët ose ky mekanizëm po themelohet ose është themeluar me dokumente, termat e referencë që nga arritja parashohin takimin e parë brenda një muaji nga data e themelit, që për neve i bije javën e ardhshme të kemi takim e parë në Bruksel”, ka thënë ai.

Hoti shtoi se Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, derisa bëri të ditur se si kryesues i Komisionit të Përbashkët do të jetë emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“BE të emëroi dikën si kryesues të këtij komisioni të përbashkët sepse komisioni e ka kryesuar BE-në. Me sa kam unë informacion zoti Lajçak e kanë emëruar të këtij komisioni të përbashkët për takimin e parë”, ka theksuar Hoti.

Megjithatë, ai tha se personalisht nuk pret shumë nga Serbia, por që do të insistojnë që gërmimet të rikthehen në Batajnicë, Petrovo Selo dhe Peruças.

“Nuk është gërmuar mjaftueshëm dhe kanë mbetur, dyshimet janë gjithmonë, minimum edhe 80 -100 trupave të personave të zhdukur të Kosovës atje, kështu që kjo është arsyeja pse në vazhdimësi me këmbëngulje kërkojmë të rikthehemi në Batajnicë”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia në maj të 2023-s ishin pajtuar për Deklaratën për Personat e Zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por që këtij zotimi asnjëherë, në asnjë moment, shteti serb nuk iu përmbajt./RTK