Pjesëmarrësit e takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG), (formati Ramstein), së bashku me aleatët, miratuan tetë udhërrëfyes që përcaktojnë objektivat kryesore për Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës deri në vitin 2027.
Siç raportojnë mediat e huaja, këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov.
“Sot, si pjesë e punës së Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, së bashku me aleatët tanë, ne miratuam tetë udhërrëfyes që përshkruajnë objektivat kryesore për Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës deri në vitin 2027”, tha Umerov.
Sipas ministrit, “udhërrëfyesit përcaktojnë qëllimet strategjike të Ukrainës deri në vitin 2027 dhe shërbejnë si bazë për mbështetjen afatmesme dhe afatgjatë”, përcjell Telegrafi.
“Ne po punojmë gjithashtu për të siguruar që Forcat tona të Armatosura të jenë plotësisht në përputhje me forcat e NATO-s”, tha ministri.
Ndër fushat kryesore të fokusit, ai përmendi ndihmën ushtarake, organizimin e prokurimeve, mbështetjen dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës.
“Këto udhërrëfyes janë rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Ukrainës dhe partnerëve të saj. Tridhjetë e katër vende i janë bashkuar tashmë këtyre udhërrëfyesve. Ky është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes së Ukrainës: ka kërkesë të madhe për armë dhe pajisje dhe ajo mbetet shumë e lartë”, theksoi Umerov.
Umerov falënderoi gjithashtu “të gjithë partnerët që mbështesin Ukrainën.
Sipas tij, ky është një shembull i unitetit të vërtetë ndërkombëtar që i ndihmon të durojnë dhe të arrijnë fitoren.”
Ndryshe, takimi i 25-të i UDCG po zhvillohet në bazën ajrore gjermane Ramstein, i kryesuar nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin.