Me 24 dhjetor u përurua shërbimi për Frytnim të Asistuar Mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Për vetëm 9 ditë pune janë kryer 70 konsultime për çiftet që duan të bëhen prindër përmes procedurës së IVF-it në QKUK.
Ndërkohë, edhe 250 çifte të tjera janë në pritje të terminit për t’u takuar me mjekun dhe informuar rreth kësaj procedure.
Shefi i repartit të IVF-së në klinikën e Gjinekologjisë, Leandrit Bejtullahu, thekson se janë duke i menduar mundësitë për shkurtimin e listës së pritjes për termine, në mënyrë që pacientët të mos presin gjatë sa i përket kontaktit fillestar pacient-mjek, derisa tregon se nuk ka listë të pritjes për fertilizim aktualisht.
Deri më tani moshat e pacienteve të paraqitura janë nga 32 deri në 49 vjeç. Mirëpo në bazë të kritereve ndërkombëtare, reparti i IVF-së në Gjinekologji ka kufizuar edhe moshën e grave.
“Është një dritare mes 42-45 vjeç, kuptohet nëse gjendja hormonale e lejon”, tregon gjinekologu Bejtullahu.
Kujtojmë se aktualisht këtë procedurë mund ta bëjnë vetëm çiftet përmes qelizave të tyre e të cilët nuk arrijnë të kenë shtatzëni natyrale.
Dy herët e para për këtë shërbim në sektorin publik janë falas, kurse për të tretën herë çiftet paguajnë 670 euro.
Për ofrimin e shërbimit IVF janë trajnuar 4 gjinekologë dhe 2 embriologë.