Policia e Kosovës ka njoftuar se janë suspenduar tre zyrtarë policorë, shkruan GazetaBlic.
Të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas PK-së, suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.
“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet tutje.
Tutje thuhet se “Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”.