Lajme

Ismet Beqiri: Moscertifikimi i Listës Serbe lojë e VV-së – alarmi i Kurtit për sulme, tentim për blerje votash

12/27/2024 18:03
nga:G B

Ismet Beqiri, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur kandidaturën e tij për deputet, aktualitetin, pritjet nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe mundësinë për koalicione.

Sa i përket moscertifikimit të Listës Serbe në zgjedhje nga KQZ, Beqiri gjithë këtë e quan lojë të VV-së, pasi atyre ua garanton Kushtetuta pjesëmarrjen.

“Sigurisht pavarësisht që ne e dimë që Lista Serbe në një mënyrë ose tjetër përfaqëson edhe ata që janë kriminelë, megjithatë mendoj që ka qenë një lojë e VV-së në KQZ, sepse u pa më vonë. Ne s’kemi bërë asgjë antiligjore kur ka të bëjë me minoritetet. Ka mënyra tjera për t’i parandaluar të veprojnë kriminelët por jo me mënyra të tilla, me lojëra, ishte përpjekje e VV-së, sigurisht me urdhër të bosit të tyre, z.Kurti, që ta bëjnë këtë lojë dhe rezultati doli. Nuk na duhen gjëra të tilla, ishte një lloj mësymje dhe një kthim i faktorit ndërkombëtar për të na dhënë kritika për diçka që e garanton Kushtetuta. Nuk i mbroj dhe nuk i kam mbrojtur asnjëherë ata që përfaqësojnë bandat e ndryshme por nuk luftohet në këtë mënyrë siç po bën VV, ka qenë diçka për fushatë elektorale”, thotë ai.

Beqiri thekson se nga Lista Serbe kanë dalë njerëz që kanë bërë krime, por që s’mund të shkelet ligji ndaj saj, derisa vlerëson se VV ka bërë lojë për të treguar kinse patriotizëm.

“Lista Serbe nga mesi i saj kanë dalë njerëz të veshur në petkun e politikanit por që kanë bërë krime siç e dimë nënkryetari ka qenë udhëheqës bandash, megjithatë mendoj që kritikat duhet të jenë edhe tonat ndaj asaj liste por jo të shkelet ligji. Mendoj se ka qenë një lojë. Lojë për interesa elektorale për të treguar ‘patriotizëm’ që nuk është patriotizëm që e ndalon një listë që megjithatë është i regjistruar si subjekt politik dhe derisa është i tillë, atëherë është e vështirë të mos certifikohet”, shprehet kandidati i LDK-së për deputet.

Ndërsa, për partitë opozitare që votuan kundër moscertifikimit të Listës Serbe, Beqiri thotë se e kanë ditur ligjin dhe s’kanë dashur të bëhen pjesë e lojës së VV-së.

“Mbase ata që e kanë ditur ligjin mirë, e kanë parë që organi tjetër kompetent do ta sjell këtë rezultat dhe për mos t’u bërë pjesë e lojës së VV-së, kanë vepruar ashtu siç kanë vepruar”.

Kurse, sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe, Beqiri thekson se VV nuk qëndron më mirë se partitë tjera.

“Ky është absurditeti i tyre sepse ata që e deklaron VV është e paqëndrueshme dhe është parë që VV nuk qëndron më mirë në aspektin e bashkëpunimit me ta sepse Kushtetuta e obligon çdo parti që t’i ketë në qeveri edhe ato parti”, deklaron Ismet Beqiri.

Po ashtu, ai ka folur edhe për paralajmërimet e Kurtit për sulme të reja ndaj Serbia, derisa sipas tij, e gjitha po bëhet për fushatë zgjedhore dhe përpjekje për të krijuar panik.

“E vërteta është se kemi një fqinj që është serioz për gjithë rajonin por këto që i bën z.Kurti janë flluska dhe përpjekje për të krijuar panik edhe pse duhet ta bëjë të kundërt por edhe këtë po e bën për fushatë zgjedhore për të treguar njëfarë ‘vigjilence’ të tij, njëfarë kujdesi se si po i dimë gjërat që do të sulmohemi por këtë e dimë të gjithë dhe kjo është dëshmuar, andaj z.Kurti e di dhe duhet ta dijë se falë NATO-s dhe KFOR-it dhe SHBA-ve e BE-së, një gjë e tillë nuk do të ndodhë por thjesht po e bën për fushatë zgjedhore”, potencon ai.

Por, sipas Beqirit, kjo nuk do t’i sjell vota pasi qytetarët janë vetëdijesuar dhe i kanë parë dështimet e qeverisë së Kurtit.

“Ai ndoshta mendon kësisoj, unë nuk mendoj se i sjell vota dhe s’do të duhej t’i sillte. Jam i bindur se qytetarët kanë vetëdije të plotë dhe qytetarët i kanë parë dështimet në këto katër vjet dhe së fundi kemi probleme me energjinë në shumë vende të Kosovës, që është problem dhe dëmton ekonominë familjare, shëndetin e njerëzve dhe VV po tenton që në këtë kohë që ka mbetur të blejë vota dhe po bën situata të tillë për të kaluarën kohën derisa të vije 9 shkurt”, deklaron Ismet Beqiri./Gazeta Blic/