Lajme

Murati: Kush nuk i dëshiron shtesat, mund të hiqet vullnetarisht nga lista

12/25/2024 14:48
nga:N K

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se për ata që nuk dëshirojnë të marrin shtesat për fëmijë, është përgatitur një formular online.

Sipas Muratit secili që dëshiron vullnetarisht të heqë dorë nga këto shtesa mund ta plotësojë atë për 2 minuta.

Tutje, Murati ironizon edhe me opoziten, duke thënë se “Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë”, shkruan GazetaBlic.

“Shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë. Por ka edhe prej atyre që deklarojnë se shtesat e tilla ata nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë. Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heq dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.