Ministrit serb të Informacionit dhe Telekomunikacionit, Dejan Ristiq, i është ndaluar hyrja në Kosovë, sipas një njoftimi të kësaj ministrie, raporton Danas.
Kjo ministri tha se i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “ta dënojë ashpër atë vendim antidemokratik”.
Ristiq ka dashur të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të përjavshmes “Jedinstvo”, e vetmja media e shkruar në gjuhën serbe në Kosovë.
Në njoftim thuhet se vizita e Ristiqit “është paralajmëruar me kohë, në përputhje me procedurën e përcaktuar të vizitës dhe se është ndaluar një orë para kohës së paraparë” për kalimin e kufirit.
Ministria theksoi se “ndalimi për hyrjen dhe qëndrimin në territorin e Kosovës për ministrin përgjegjës për informim publik paraqet një shembull tjetër të qartë të shkeljes së të drejtës për lëvizje të lirë, lirisë së informimit publik dhe lirisë së shprehjes së njerëzve në Serbi”.
“Duke penguar vazhdimisht funksionimin normal të mediave në gjuhën serbe dhe duke rrezikuar sigurinë e punonjësve të mediave serbe në Kosovë, Prishtina po demonstron sërish karakterin e saj thelbësor antidemokratik dhe diskriminues”, pretendoi ministria serbe.
Kjo vjen pak ditë pasi Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për vizitën e planifikuar të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku, në Luginë vetëm një orë para realizimit.
“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë”, ka thënë ministri përmes një postimi në Facebok, duke shtuar se synim i vizitës ishte takimi me kryetaren Sinani dhe me organizata rinore e kulturore.