Lajme

Ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike dhe paralajmërimet për sulme/ Çitaku i reagon Kurtit: Turp kryeministër

12/25/2024 09:37
nga:G B

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria, dje në vigjilje të Kërshëndellave, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se dhurata e parë ishin ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia.

Çitaku ka thënë se Kurti duhet të ketë turp, pasi ka ardhur në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme dhe detyra e tij është që t’i mbajë dritat ndezur e t’i parandalojë sulmet.

Postimi i saj i plotë:

Dje në vigjilje të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria.

E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia.

Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës.

Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor.

Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”.

Jo. Kosova mundet ma mirë.

#MaMirë #BedriHamza