Lajme

Kosova ka mbi 2 milionë e 100 mijë përdorues të telefonisë mobile

12/25/2024 08:31
nga:G B

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të tretë (TM3-2024) është 2,142,583 përkatësisht për 12.1% më i lartë krahasuar me tremujorin paraprak TM2-2024, ndërsa 5.3% me i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3-2023).

ARKEP njofton se ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka rritje nga tremujori paraprak për 12.7 pikë të përqindjes, ndërsa me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3-2023) ka ngritje për 6 pikë të përqindjes. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 118% të numrit të popullsisë.

“Në periudhën TM3 2024 numri i parapaguesve të telefonisë fikse është 68,969, që paraqet një ulje prej 0.8% në krahasim me tremujorin e kaluar. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor është 3.80% . Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e BE-së”, thuhet në raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e tretë të vitit 2024 (TM3 – 2024), të ARKEP-it.

Ndarja e përdoruesve të telefonisë fikse në individual dhe të biznesit për periudhën TM1 2019 deri në TM3 2024 është paraqitur në figurën e mëposhtme. Nga të dhënat në figurën mund të vërehet se struktura e parapaguesve të telefonisë fikse si raport në mes të parapaguesve individualë dhe parapaguesve të biznesit është 33.3% – 66.7%.

Numri i linjave të internetit me qasje fikse brez gjerë deri në TM3-2024 i raportuar nga operatorët është dhënë në figurën e mëposhtme dhe shënon shifrën 402,284 parapagues të internetit. Nga kjo vërehet një rritje prej 1.2% në krahasim me TM2 2024, gjithashtu një rritje e lehtë prej 0.2% në krahasim me TM3 2023.

Ndërsa, penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 135.4%, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve (për 100 banorë) rezulton të jetë 22.16%.

Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband) apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G në periudhën TM3 2024 ka arritur në 1,873,524 ngritje kjo prej 17.0% krahasuar me TM2 2024, dhe gjithashtu rritje prej 8.4% krahasuar me TM3 2023. Në vijim është dhënë figura që paraqet krahasimin e përdoruesve me qasje 3G dhe 4G.

“Trendi i numrit të parapaguesve të qasjes në internet përmes rrjetit mobil që nga fillimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në treg është karakterizuar me një rritje të vazhdueshme . Në periudhën raportuese (TM3 2024) penetrimi i qasjes mobile është 89%, ndërsa i asaj fikse 21 % për banor”, thuhet në raport.