Sporti

Tahir Batatina i reagon keq FFK-së: Nuk është e vërtetë se kam kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes!

12/24/2024 23:00
nga:Lorik J

Sot, Komisioni i Garave ka dërguar në disiplinore trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, pasi sipas tyre, ai ka kërcënuar gjyqtarët pas ndeshjes.

“Inicim disiplinor ndaj: Kryetrajnerit të FC “LLapi“, Tahir Batatina nr ID 001144M77. Motivi Pas përfundimit të ndeshjes në lokalet zyrtare të stadiumit kërcënon dhe kufizon lëvizjen e lirë të gjyqtarëve të ndeshjes (daljen nga stadium), duke ju thënë: “Ju nuk mund të dilni nga këtu pa ardhë mu ju marë ata të FFK-së . Sipas audio incizimit nga ndesha LLapi – Dukagjini”, ka shkruar Komisioni i Garave të FFK.

Megjithatë këtë e ka demantuar Tahir Batatina, duke thënë se një gjë e tillë është e pavërtetë.

Ja reagimi i Batatinës:

“Reagim në lidhje me inicimin e procedurës diciplinore dhe lajmet e pavërteta që po qarkullojnë në media me pretekstin se kam kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes KF Llapi – KF Dukagjini

Të dashur tifozë dhe sportdashës,
Në cilësinë time si kryetrajner i KF Llapi, ndihem i detyruar të reagoj fuqimisht ndaj pretendimeve të pavërteta dhe të pabazuara, të cilat synojnë të dëmtojnë emrin tim dhe imazhin e klubit, KF Llapi.
Dua të sqaroj se nuk kam penguar në asnjë moment lëvizjen e lirë të gjyqtarëve apo daljen e tyre nga stadiumi, siç pretendohet nga Komisioni i Garave. Pas përfundimit të ndeshjes, kam kërkuar një sqarim të qetë dhe të arsyeshëm lidhur me një moment të diskutueshëm të ndeshjes, konkretisht mbi arsyen pse gjyqtari kryesor zgjodhi të shikonte sistemin VAR për rastin e golit (offside), pasi që kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë nga një gjyqtar kryesor prej se VAR implementohet në Kosovë. Ky është një veprim i zakonshëm dhe i drejtë për çdo trajner që kërkon transparencë dhe qartësi mbi vendimet e marra gjatë një ndeshjeje.
Për më tepër, nuk kam bërë asnjë kërcënim apo veprim që të kufizojë lirinë e lëvizjes së gjyqtarëve, dhe këto pretendime janë plotësisht të pavërteta. Asnjëherë nuk kam përdorur gjuhë kërcënuese, siç pretendohet në këtë inicim diciplinor, dhe çdo deklaratë që thotë të kundërtën është e gabuar dhe keqinterpreton qëllimet e mia.
Gjithashtu, shpreh keqardhje që ndodhi një keqkuptim i tillë dhe theksoj se asnjë nga veprimet e mia nuk ka pasur qëllim të cënojë autoritetin e gjyqtarëve apo rregulloren e garave, vetëm se kam kërkuar drejtësi dhe drejtësi do kërkoj gjithmonë, sepse kjo më lejohet çdo herë. Kam qenë gjithmonë i përkushtuar për të respektuar normat sportive dhe për të kontribuar në zhvillimin e një atmosfere pozitive në futboll.
Andaj, kërkoj që pretendime të tilla të pavërteta, të mos përdoren për të krijuar tensione të panevojshme”, ka shkruar Batatina.

/GazetaBlic Sport