Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se vendimi që Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen si terroriste doli të jetë i duhur, ndërsa theksoi se a duhet të bëhet diçka e tillë edhe me Listën Serbe, u takon organeve të ndjekjes dhe sigurisë që të zbardhin se a ka ndonjë ndërlidhje mes këtij subjekti politik me dy organizatat e lartpërmendura.
“Ne kemi shpallur organizata terroriste Mbrojtjen Civile, dhe Brigadën Veriore, më 29 qershor 2023 në mbledhje të qeverisë. Për ato kemi pasur fakte të bollshme, dhe këtë gjë e kemi bërë. Kemi marrë shumë kritika ndërkombëtare për atë veprim tonin, dhe merreni me mend më pak se tre muaj më vonë na ndodhi Bajnska. Shpallja, doli të ketë qenë veprim i duhur, vendim adekuat nga ana jonë”.
“Tash bëhet fjalë për një parti politike që është e ndryshme për nga karakteri me Mbrojtjen Civile dhe Brigadën Veriore, dhe megjithatë ne nuk i kemi vendosur në të njëjtën kategori. Por, do të thosha që u përket organeve të ndjekjes dhe sigurisë, dhe sidomos Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës që të zbardhin shumë më tepër, dhe me shpejtësi të shtuar të sjellin drejtësi, edhe mbi lidhjet e mundshme ndërmjet Mbrojtjes Civile e Brigadës Veriore në njërën anë dhe Listës Serbe në anën tjetër”.