Sporti

Drejtuesit e Milanit e duan me çdo kusht rinovimin me Pulisic

12/24/2024 14:00
nga:Mergim Rreci

Liverpooli është lidhur me një interes për Christian Pulisic pas formës së tij të shkëlqyer me Milanin, por klubi “Rossoneri” planifikon ta mbajë atë me një kontratë të re dhe të përmirësuar.

Ylli i Kombëtares Amerikane erdhi nga Chelsea për 22 milionë euro gjatë verës së vitit 2023 dhe ka treguar formën që e bëri të kërkuar fillimisht tek Borussia Dortmund.

Deri tani këtë sezon, Pulisic ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në 20 ndeshje zyrtare për Milanin mes Serie A, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Italisë.

Këto paraqitje, si në krahun e djathtë ashtu edhe në rolin e trekuartistit pas sulmuesit qendror, kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të Premier League, mbi të gjitha liderit aktual, Liverpoolit.

Milani është i vetëdijshëm për rrezikun e humbjes së amerikanit dhe tashmë ka nisur hapa për të siguruar praninë e tij në “San Siro”.

Sipas Calciomercato, ekziston një opsion për të zgjatur kontratën e tij deri në qershor 2028, por drejtuesit e Rossonerëve janë më proaktivë, duke propozuar një kontratë të re deri në qershor 2029 me një rritje të pagës nga 4 milionë euro neto në sezon në 5 milionë.

Gjithashtu, Milani është afër marrëveshjeve të reja edhe për Tijjani Reijnders dhe Mike Maignan, të cilët gjithashtu janë lidhur me lëvizje të mundshme në Premier League apo LaLiga.