Sporti

Edoardo Bove mori leje speciale për t’u ulur në stolin e Fiorentinës

12/24/2024 11:28
nga:Mergim Rreci

Edoardo Bove nuk i mbajti dot lotët teksa u ul në stolin e Fiorentinës për herë të parë që prej urgjencës mjekësore, por edhe për këtë i duhej një leje speciale.

Mesfushori ra pa ndjenja gjatë ndeshjes së Serisë A me Interin më 1 dhjetor dhe u dërgua me ambulancë në spitalin lokal.

Kjo ishte hera e tij e parë që rikthehej në stadium që nga ai moment, dhe ai pritej të shikonte nga tribuna ndërsa bashkëlojtarët e tij përballeshin me Udinese.

Megjithatë, Bove u ul në stolin e Fiorentinës pranë trajnerit Raffaele Palladino.

Kjo është diçka që ai nuk duhet të kishte qenë në gjendje ta bënte duke pasur parasysh se ishte i pajisur me një defibrilator të implantuar , që do të thotë se sipas rregullave italiane ai nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet sportiv.

Sipas Corriere dello Sport , mesfushori duhej të merrte dispenzim të veçantë nga Lega Serie A për t’u ulur në stol dhe për të qenë me shokët e tij në dhomat e zhveshjes.

Nëse Bove dëshiron të vazhdojë karrierën e tij si lojtar, ai ose duhet të heqë defibrilatorin ose të shkojë jashtë vendit, ku rregullat janë më pak të rrepta.

/GazetaBlic Spor/