Kryeministri i Kosovës edhe njëherë ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve rreth Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kurti këtë të martë sërish është pyetur nga gazetarët nëse do ti përgjigjet ftesës së re për tu intervistuar, por ka shmangur përgjigjen.
“Dragash e në Malishevë duhet me shku…”, ishte përgjigja e shkurtër e tij kur dëgjoi pyetjen.
Kryeministri edhe më herët ka refuzuar sërish të deklarohet në lidhje me ftesën për intervistim lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në cilësinë e dëshmitarit, që ka marrë nga Prokuroria Speciale.
“Do të shkoj në 7:30 në një koncert”, pati deklaruar para pak ditësh Kurti.
Kryeministri Kurti mori thirrjen për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetorit, për t’u paraqitur pranë këtij institucioni me datën 16.
Ai nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar se Kurti s’mund të ishte i pranishëm për intervistim pranë Prokurorisë Speciale, për shkak të agjendës së tij jashtë vendit.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.