Lajme

Shtesat e Kurtit/ Shala: Vendim elektoral – orvatje qeveritare për ta blerë votën e qytetarëve ata do të ndëshkohen

12/24/2024 11:44
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka quajtur politik vendimin e qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se e gjitha kjo është për shkak të zgjedhjeve, derisa shton se Qeveria nuk ka bërë asgjë për këto kategori në 4 vite qeverisje.

“Vendimi i qeverisë nuk mund të cilësohet ndryshe vetëm vendim politik, elektoral, në kuptimin administrativ shtetëror i ulët, joetik sepse Qeveria në mandatin e saj i ka pasur të gjitha mundësitë që ta ndryshojë dhe definojë juridikisht çështjen e pensioneve dhe ndihmave sociale gjatë mandatit legjislativ, me anë të ligjit, në mënyrë që të merrnin të gjitha mjetet që realisht ju duhen, pra mjetet i duhen kësaj kategorie por qeveria për 4 vite asgjë në esencë nuk ka bërë për kategorinë sociale dhe me theks të veçantë i ka persekutua politikisht dhe ekonomikisht kategoritë e dala nga lufta dhe disa kategori të dala nga lufta dhe disa kategori tjera. Pra është vendim elektoral, se sigurisht që mjetet iu duhen këtyre kategorive”, ka theksuar ai.

Sipas tij, qytetarët nuk mund të blihen me 100 euro dhe do ta ndëshkojnë qeverinë Kurti në zgjedhjet.

Po ashtu, sipas deputetit, 100 euro nuk u mjaftojnë qytetarëve as për t’i mbuluar faturat e muajit dhjetor.

“Unë besoj fuqishëm që kundër kësaj orvatje qeveritare për ta blerë votën e qytetarëve ata do të ndëshkohen, sepse ata janë vetëdijesuar dhe kanë provuar keqqeverisjen e Qeverisë Kurti. Qytetarët me këto mjete nuk mund të paguajnë as faturat e muajit dhjetor. Qytetarët e dinë që e kanë 120 për qind më të lartë çmimin e energjisë dhe mbi 50 për qind çmimet e produkteve ushqimore që në po këtë mandat kemi një situatë të tillë. Është keq vështirësuar jeta dhe mënyra e jetesës së kategorive sociale në Kosovë andaj nuk mendoj se ata nuk do ta zgjedhin Qeverinë Kurti”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Ferat Shala./Gazeta Blic/