Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri përmes një postimi ka shkruar për përvjetorin e 35-të të themelimit të kësaj partie.
Përmes postimit të tij në Facebook, Haziri publikoi një fotografi ku ai shihet me ish- liderin e kësaj partie dhe presidentin historik, Ibrahim Rugovën, shkruan GazetaBlic.
Haziri theksoi se LDK, familje e madhe politike që lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës e bëri të dashur për të gjithë.
“35 vjet me LDK-në. Në të gjitha fazat, në të gjitha dekadat për liri pavarësi e demokraci për të gjithë. Në kryengritje politike e rezistencë aktive, në kryengritje ushtake për të jetuar të lirë e në paqe. LDK, familje e madhe politike që lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës e bëri të dashur për të gjithë, për t’u krenuar me atdheun. Për Zot, atdhe e familje, dje, sot e përjetë!”, ka shkruar ai.
Haziri ka thënë se LDK-ja ia dha vendit “identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendos vet, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët”.
“Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës”.
“Rikthimi në 35-vjetorin e themelimit është nderi dhe respekti më i madh sepse LDK është besë dhe shpresë për Kosovën. Rruga e Re në krye me prof. dr. Lumir Abdixhiku, nuk është për LDK-në, por për Kosovën. Urime 35-vjetori i LDK-së!”, tha mes të tjerash Haziri.