Sporti

Ruben Amorim me ‘dorë të hekurt’ – vendos në shitje dy yjet e Man United

12/23/2024 11:24
nga:Gazeta Blic

Ruben Amorim pritet që të lejojë largimin e dy lojtarëve të ekipit të parë nga Manchester United gjatë afatit kalimtar të janarit.

39-vjeçari e pa Unitedin duke dhuruar një paraqitje tejet të dobët pasditen e së dielës në ‘Old Trafford’, aty ku u mposhtën me rezultat 3-0 nga Bournemouth.

Ky rezultat do të thotë se ‘Djajtë e Kuq’ do të qëndrojnë në pozitën e 13-të në tabelë, pasi kanë fituar vetëm gjashtë nga 17 ndeshjet e zhvilluara në kampionat deri më tani.

Kjo padyshim që ka shkaktuar një shqetësim tek tekniku portugez, i cili duket se ka vendosur që ta zvogëlojë numrin e lojtarëve që ka në dispozicion gjatë afatit kalimtar dimëror.

Sipas një raportimi nga Fabrizio Romano, që të dy Christian Eriksen dhe Victor Eriksen janë në dispozicion për shitje gjatë janarit.

“Christian Eriksen dhe Victor Lindelof janë në dispozicion për afatin kalimtar të janarit, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Natyrisht, të dy lojtarët janë të gatshëm të largohen”, ka thënë Romano.

 

Eriksen është paraqitur në vetëm nëntë ndeshje në Ligën Premier këtë sezon teksa nuk mori asnjë minutë në humbjen ndaj Bournemouth.

Sa i përket Lindelof, koha e tij tek Unitedi përshkruhet më së shumti nga lëndimet e shumta që e kanë ndjekur, teksa së fundmi ai pësoi lëndim ndaj Tottenhamit në ‘Carabao Cup’.

Kontratat e të dy lojtarëve pritet të skadojnë më 30 qershor 2025, që do të thotë se ata mund të negociojnë me klubet e huaja që nga 1 janari 2025.