Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka thënë se 35 vjet më parë, intelektualë të shquar, të prirë nga Prijësi i papërsëritshëm, Dr. Ibrahim Rugova, themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se LDK ishte projekti më i nevojshëm për ruajtjen e qenies dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.
“LDK u bë dhe mbeti shpresa e vetme, e cila arriti të organizojë jetën në rrethana të jashtëzakonshme. Falë politikës së mençur e të urtë të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, u arrit që shoqëria të vetorganizohej dhe të ruante mbijetesën edhe kur ekzistenca ishte në teh”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Hyseni ka shtuar se “Republika jonë sot, ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për një filozofi të qartë politike”.
Postimi i tij i plotë:
35 vjet më parë, intelektualë të shquar, të prirë nga Prijësi i papërsëritshëm, Dr. Ibrahim Rugova, themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Rrethanat jashtëzakonisht të rënda që vënë në pikëpyetje jo vetëm lirinë, por edhe vet fatin e një populli morën përgjigjen e duhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ky ishte projekti më i nevojshëm për ruajtjen e qenies dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.
LDK u bë dhe mbeti shpresa e vetme, e cila arriti të organizojë jetën në rrethana të jashtëzakonshme.
Falë politikës së mençur e të urtë të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, u arrit që shoqëria të vetorganizohej dhe të ruante mbijetesën edhe kur ekzistenca ishte në teh.
Një politikë e tillë, prishi shumë projeksione që synim kishin që Kosova të mbetej pa shqiptarë.
Por, politika dhe rezistenca aktive paqësore arritën që projeksionet e tilla t’i lënë vetëm në letër.
“Nuk na duhet Kosova pa njerëz”, pohonte në vazhdimësi Prijësi ynë, Ati themeltar i Republikës sonë, Dr. Ibrahim Rugova, sikur që e theksonte në vazhdimësi se “Nuk mbahet shtëpia pa miq”.
Ai e kishte të qartë rrugëtimin e nevojshëm politik të Kosovës, sikur që i kishte të qarta kërkesat për liri, pavarësi, demokraci.
Lidhja po aq sa e fuqishme u bë edhe e pranueshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit, e cila artikuloi qartë kërkesat e popullit tonë, e mbi të gjitha arriti ta ruaj dinjitetin e tij.
Një popull i tërë shpresat i vunë tek Prijësi i tyre, i cili me një politikë paqësore arriti ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Sot e përmot, Republika jonë i është mirënjohës Prijësit të saj në orët më të rënda, i cili na dha udhën e drejt e të duhur, duke qenë i pakompromis për “Një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike, të integruar në NATO e Bashkim Evropian dhe në miqësi speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Republika jonë sot, ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për një filozofi të qartë politike!