Avdyl Jashari, i njohur si Abu Katade Albani, që njihet si një komandant i njësisë shqiptare “Xhamati Alban”, ka ndarë detaje mbi luftën 12-vjeçare kundër regjimit të Bashar Al-Assadit dhe suksesin e fundit në rrëzimin e tij.
Gjatë një interviste për A2 CNN, ai ka folur për sfidat e shumta, vendosmërinë dhe strategjinë që e bëri të mundur një ndryshim të tillë.
Rrëzimin e regjimit, Jashari e ka përshkruar si një kombinim i organizimit strategjik të opozitës siriane dhe dobësimit të aleatëve kryesorë të regjimit, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Hezbollahun.
Dhe pavarësisht kufizimeve logjistike dhe mungesës së mbështetjes së gjerë, vlerëson ai, opozita arriti të krijonte një organizim të konsoliduar.
“Riorganizimi dhe përgatitja gjatë armëpushimit de facto na mundësoi që të nisnim një fushatë ushtarake të suksesshme, që përfundoi me çlirimin e Damaskut”, deklaroi Jashari.
Sipas tij, roli i njësisë shqiptare dhe kontributi i saj Njësia “Xhamati Alban”, e krijuar në vitin 2012, ka qenë aktive në të gjitha betejat kryesore në Sirinë Veriperëndimore.
Luftëtarët shqiptarë, sipas Jasharit, jo vetëm që kanë ndihmuar në terren, por kanë kontribuar gjithashtu në zhvillimin e strategjive që udhëhoqën fitoren.
“Luftëtarët shqiptarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm, jo vetëm në terren, por edhe në planifikimin dhe koordinimin e operacioneve”, shtoi ai.
“Roli ynë nuk kufizohet vetëm te fusha e luftës, por gjithashtu kemi ndihmuar në krijimin e një fryme bashkëpunimi brenda opozitës”, theksoi Jashari.
Gjatë intervistës, Jashari theksoi dallimet mes njësisë së tij dhe grupeve ekstremiste si ISIS-i.
“Ne nuk përfaqësojmë ideologji ekstreme. Përkundrazi, respektojmë parimet e luftës së drejtë sipas Islamit, duke shmangur humbjet civile”, deklaroi ai.
Sipas tij, luftëtarët e tij kanë ruajtur gjithmonë fokusin mbi objektivin kryesor të çlirimit pa rënë në kurthin e ekstremizmit.
Dhe tani që opozita ka marrë kontrollin, Jashari foli për sfidën e krijimit të një sistemi qeverisës që respekton të drejtat e gjithë etnive dhe besimeve.
Ai theksoi se Islami siguron drejtësi për të gjithë dhe hodhi poshtë frikën e disa grupeve për të drejtat e grave dhe minoriteteve.
“Në thelbin e saj, feja islame promovon drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet. Historikisht, Islami ka treguar tolerancë dhe ka garantuar të drejtat e gjithë qytetarëve”.
Ai theksoi se ndërtimi i një shoqërie të drejtë është një detyrë e madhe, por e mundshme nëse ndiqen parimet e drejtësisë.
Jashari përmendi akuzat ndërkombëtare për terrorizëm ndaj disa liderëve të opozitës dhe bëri thirrje për një rishikim të këtyre vendimeve në dritën e fakteve të reja.
Ai gjithashtu u shpreh për domosdoshmërinë e një bashkëpunimi global për të zgjidhur sfidat e mbetura në Siri dhe për të parandaluar kthimin e konflikteve.