Agjencia e Statistikave të Kosovës, së fundi ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024).
Në këto rezultate kanë qenë të përfshira statistikat e popullsisë, statistikat etnike, fetare, e shumë të tjera.
Mirëpo, në raportin e tyre nuk janë të përfshira statistikat për papunësinë e vendit tonë.
Deputeti nga radhët e PDK-së, thekson se ikja e kosovarëve është alarmante, dhe sipas tij, qeveria po hesht dhe po manipulon me shifra dhe statistika te pa qena.
“Edhe pse qeveria nuk i publikuar të dhënat e fundit të papunesisë, ne i reverohemi të dhënave të vitit 2023. ASK jep shifrat këtë fundvit si në vijim: 746.264 persona të papunë ose 64.7% të fuqisë punëtore aktive ne Kosovë. Këtoo shifra janë alarmante dhe rrezik potencial për zbrazjen e Kosovës. Të rinjtët dhe fuqia punëtore në kërkim të mënyrës më të mirë të jetës, dhe në pamundësi të punës në Kosovë, ata po vazhdojnë ta lënë vendin. Ndërsa, qeveria hesht dhe manipulon me shifra dhe statistika të pa qena”, u shpreh ai për GazetaBlic.
Po ashtu, Shala thotë se ASK shkallën e papunësisë e jep gabimisht.
“Pra, përfundimisht ASK-ja shkallën e punësimit e jep saktë në vlerën 36,3%, por shkallën e papunësisë gabimisht e jep 10,9%, në vend që ta publikonte 64,7%, pasi edhe matematikisht vlenë barazimi 100%=36,3% + 64,7%”, tha mes të tjerash Shala.
E, një mospërfshirje të tillë, ekonomisti Arton Muhaxheri e quan të qëllimshme.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar një sërë statistikash nga regjistrimi i popullsisë. Megjithatë, ajo që bie në sy është mos publikimi i të dhënave mbi gjendjen e të papunësuarve në Kosovë. Duke qenë se ASK funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, krijohet përshtypja se kjo mungesë mund të jetë e qëllimshme, pasi të dhënat për papunësinë do të demantonin deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili pretendonte se papunësia në Kosovë është vetëm 4%”, u përgjigj ai për GazetaBlic.
Muhaxheri e kritikon ASK-në se si është shmangur ky publikim i statistikave.
“Për më tepër, duke marrë parasysh raste të mëparshme kur institucione të kapura nga pushteti kanë ndryshuar raportet për t’iu përshtatur narrativave qeveritare, nuk është e pamundur që edhe në këtë rast ASK të ketë shmangur publikimin e statistikave mbi papunësinë për të ruajtur besueshmërinë e deklaratave të kryeministrit se Kosova nuk vuan nga papunësia”, tha ai.
Ndryshe, ai thekson se në rast se është një lëshim nga kjo agjenci, sipas tij statistika të tilla të publikohen sot në atë mënyrë që të largohet dyshimi.
“Nëse kjo ka qenë thjesht një lëshim nga ana e ASK-së, atëherë është jetike që sot të publikohen edhe të dhënat për papunësinë, në mënyrë që qytetarët të largojnë çdo dyshim se ky institucion mund të jetë vepruar nën ndikimin e direktivave politike”, u shpreh ekonomisti.
Rikujtojmë se muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi ka publikuar statistikat mbi nivelin e popullisë sipas Barometri Ballkanik 2024.
“Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%. Në 1000 persona të pyetur Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%”, thuhej në njoftimin e tyre.