Lajme

Berisha tregon pse nuk ishte i pranishëm në Kuvendin e Kosovës

12/20/2024 14:11
nga:N K

Duke komentuar mbledhjen e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tregoi arsyen pse nuk ishte i pranishëm. Ai tha se nuk do të shkonte kurrë në Kosovë pa u miratuar rezoluta për të dënuar gjenocidin serb.

“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria.

Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës.

E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej. Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës. Pra janë këto akte. Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë. Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë“, tha Berisha.