Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr.Besim Mulaj, komentoi rastin e takimit ndërpalamentar Kosovë-Shqipëri.
Ai tha se kjo mbledhje vjen pas një periudhe të gjatë të mungesës së takimeve ndërqeveritare, shkruan GazetaBlic.
“Sot do të mbahet takimi ndërparlamentar Kosovë-Shqipëri, një ngjarje që vjen pas një periudhe të gjatë të mungesës së takimeve ndërqeveritare. Pas anulimit të njëanshëm të një mbledhjeje ndërqeveritare nga kryeministri Edi Rama, duket se është gjetur përsëri koha për fjalime ceremoniale. Të dy kryeministrat do të flasin dhe, me siguri, do të kemi një mori fjalësh të mëdha”, shkroi Mulaj përmes një postimi në Facebook.
Mulaj theksoi se lidhur me këtë takim mes dy shteteve, qytetarët shqiptarë në të dyja anët e kufirit kanë të drejtë të pyesin: Me çfarë projekti të përbashkët mund të krenohen këto dy qeveri për katër vite të plota? A kanë pasur ndonjëherë një strategji të përbashkët për ta faktorizuar Kosovën në arenën ndërkombëtare? Apo ndoshta një bashkëpunim të sinqertë për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilëve po u fshihen adresat dhe po përballen me një spastrim të heshtur etnik nga Serbia?
“A kanë menduar ndonjëherë për një koordinim për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ku vazhdimisht ka përpjekje për të zhbërë ligjin për gjuhën shqipe? Po për një projekt të përbashkët ekonomik që do të gjeneronte vende pune dhe do të nxiste zhvillimin në të dyja vendet? Mos ndoshta kanë ndonjë projekt kulturor apo arsimor për të cilin mund të krenohen? Apo mbase do të prezantojnë një strategji për rritjen e turizmit të ndërsjellë, diçka që nuk kërkon shumë por që mungon gjithsesi”, tha ai.
Ndryshe, kandidati u shpreh se e vetmja gjë që duket se kanë shkëlqyer është organizimi i disa takimeve elektorale dhe gjithnjë fyerje e përbuzje publike qē mezi presin tē transmetohen.
“Ndërsa për ne, qytetarët e zakonshëm, mbetet vetëm të dëgjojmë fjalimet e radhës dhe të shpresojmë se një ditë do të ketë më shumë vepra se fjalë”, tha ai ndër të tjera.
Postimi i plotë: