Kandidatja e LDK-së për deputete, Jeta Rafuna Hasani, ka reaguar ndaj sondazheve të fundit të publikuara nga Qeveria, duke i cilësuar ato si të porositura dhe si pasojë të frikës dhe panikut të Qeverisë nga humbja e besimit të qytetarëve.
Ajo ka theksuar se sondazhi i fundit, i realizuar nga një kompani e njohur që kishte shpallur një rezultat të kundërt në vitin 2021, ka pasur ndikim në perceptimin e qytetarëve, por ajo është e bindur se sondazhet më të mira janë tubimet e LDK-së dhe rritja e besimit të qytetarëve ndaj partisë dhe liderit të saj, Lumir Abdixhiku.
“E kemi parë një sondazh të porositur nga Qeveria, si pasojë e frikës dhe panikut nga humbja e besimit të qytetarëve, çdo ditë e më shumë. Sondazhi i fundit ishte nga një kompani, që ishte e njohur edhe në vitin 2021, ku në zgjedhjet komunale, Pëparim Rama e kishte renditur si të tretin, ndërsa Arben Vita doli se do të fitonte pa balotazh, por sondazhi i vërtetë ishin zgjedhjet.”
Rafuna Hasani theksoi se më 9 shkurt, do të demantohet ky sondazh i porositur dhe do të shpërthejë fitorja e LDK-së. Ajo ka shtuar se LVV-ja është dëshmitare e mbështetjes që po merr LDK-ja dhe se tashmë është e qartë për të gjithë se, pas katër vitesh, Qeveria e udhëhequr nga VV nuk ka bërë asnjë investim, përkundrazi, ka sjellë degradim të shtetit.
“Më 9 shkurt, LDK do të dalë si partia e parë në Kosovë”, tha ajo.
“Sondazhet më të mira janë tubimet e LDK-së dhe rritja e besimit të qytetarëve ndaj partisë sonë dhe liderit, Lumir Abdixhiku. Më 9 shkurt, do të demantohet ky sondazh i porositur.”
“VV-ja po i sheh tubimet e LDK-së, mbështetjen e qytetarëve dhe humbjen e mbështetjeve të tyre. Tashmë dihet se gjatë katër viteve nuk është bërë asnjë investim, është bërë degradim i shtetit.”


