Lajme

Berisha: Hipokrizia e Greqisë dhe heshtja ndaj çështjes Çame në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

12/18/2024 18:40
nga:Hisen Berisha

Greqia vazhdon të kushtëzojë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi qartë se ky është një ndër kushtet kryesore për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Por kjo sjellje hipokrite ngre një pyetje thelbësore: Çfarë po ndodh me të drejtat dhe liritë e komunitetit shqiptar çam në Çamëri?

Që nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga shteti grek ndaj popullsisë çame gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët çamë u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre historike. Nga viti 1945 deri në vitin 1951, për çamët e shpërngulur u kujdes Mbretëria e Bashkuar, duke u mundësuar mbijetesën në kushte të vështira. Pas vitit 1951, me ndikimin e Partisë Komuniste Greke, si parti homologe e Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH), e cila ishte pjesë e Internacionales Socialiste, çamëve të dëbuar u dha shtetësia shqiptare. Ky akt, megjithëse me synime humanitare, çoi në humbjen e çdo të drejte të çamëve në trojet, pronat, varret dhe trashëgiminë e tyre historike në Çamëri.

Kjo është një padrejtësi historike që bie ndesh me detyrimin kushtetues të Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, siç përcaktohet në Nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë. Megjithatë, kjo çështje është lënë në harresë, ndërsa sot Greqia jo vetëm që nuk pranon të diskutojë çështjen çame, por kushtëzon dhe pengon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Pavarësisht shpalljes së pavarësisë së Çamërisë më 30 tetor 2016 në Hagë, në përputhje me Konventën e Gjenevës dhe ligjet ndërkombëtare për vetëvendosje, nga Çamët e mbledhur në një Kuvend të Çamëve nga tërë Bota, dhe Deklaratës së Pavarësisë që miratuan, as Greqia dhe as Shqipëria nuk kanë marrë hapa të qarta për të adresuar këtë çështje të hapur. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, që pretendon të jetë një bastion i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, hesht ndaj shkeljeve flagrante të të drejtave të çamëve nga një shtet anëtar i saj, siç është Greqia.

Pyetja që shtrohet është: Si mund të pranohet një standard i dyfishtë në politikën evropiane? A mund të flitet për seriozitet dhe koherencë nga BE-ja kur një shtet anëtar diskriminon çamët dhe refuzon të njohë të drejtat e tyre njerëzore, historike, pronësore dhe politike?

Qeveria shqiptare ka detyrimin moral, ligjor dhe kushtetues që të ngrejë çështjen çame si një kusht në çdo dialog dypalësh dhe në forume ndërkombëtare. Përballë hipokrizisë greke dhe indiferencës evropiane, çështja çame mbetet një provë e madhe për shtetin shqiptar dhe për vetë Bashkimin Evropian, që duhet të dëshmojë nëse mbetet e përkushtuar ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, apo nëse do të tolerojë përjetësisht sjellje diskriminuese ndaj një komuniteti të zhdukur me dhunë nga trojet e tij stërgjyshore.

Koha është që qeveria shqiptare të marrë një qëndrim të qartë dhe të mos heshtë përballë padrejtësisë historike. Ashtu si Greqia kushtëzon Shqipërinë, edhe Shqipëria duhet të kushtëzojë çështjen e minoritetit grek me njohjen dhe garantimin e të drejtave të çamëve, duke e vendosur këtë temë në tavolinën ndërkombëtare si një çështje të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.