Lajme

Vrasja me 28 plumba më 2003, dëshmitari thotë se fillimisht kishte menduar se është vrarë bashkëshortja e tij

12/18/2024 14:25
nga:Sh R

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitari Lazër Shala, tha se së pari ka menduar se i është vrarë bashkëshortja.

Në këtë rast, Dedë Lleshi i cili është ekstraduar nga SHBA-ja, akuzohet se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N., (47-vjeçar), duke shtënë 28 herë në drejtim të tij. Vrasja thuhet se ndodhi pasi tani i ndjeri ia kishte vrarë babanë tani të akuzuarit para 12 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka qenë tmerr atë ditë, por unë pasi janë larguar njerëzit nga vendi i ngjarjes po ashtu edhe policia, e kam pyet gruan, ajo më ka thënë se në momentin kur ka kërsit arma i kam kërku çelsat me dal e më ka thënë më paç në qafë që më le në shitore, ka thonë që kur kam dalë e hupne kam qenë krejt, kur ka dalë përjashta e ka parë të vrarë N. e ka ikur në shtëpi duke bërtitur se e vranë N.”, tha dëshmitari Shala.

Paraprakisht, dëshmitari tha se, ditën kritike kur kishte ndodhur vrasja në afërsi të dyqanit të tij, ai nuk kishte qenë në dyqanin e tij.

“…kam qenë te vendi ku ne i themi fundi i livadhit, kam qenë duke u kthyer në shtëpi, e prej aty shtëpia ime është larg 1km., kur kam shkuar afër shtëpisë kam parë shumë njerëz, jam afruar te shitorja, nuk kam hy brenda kam pyet se çka u bo, tha e kanë vra N.”, tha Shala.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj kërkoi të dijë nga dëshmitari se në raportin e policisë të datës 12 korrik 2003, thuhej se ju i keni thënë zyrtarit policor që bashkëshortja juaj Manike Shala ju ka thënë juve se e ka parë një veturë të kuqe.

“Nuk më kujtohet, s’ka përmend kerr, nuk ka thënë gruaja ime se ka pa kerr të kuq, ajo ka qenë e humbur krejt në ato momente, veç e di që kerri i kuq u pa në merimangë i ngarkun edhe qaj kerr ka nejt 6 javë ditë në oborr të sekretariatit, po nuk më kujtohet a ka qenë ora 11 ose 12.”, tha dëshmitari Shala.

Paraprakisht, gjykatësi Rashkaj bëri të ditur se gjykata sipas detyrës zyrtare e ka ftuar qytetarin Lazër Shala që të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit.

Tutje, gjykatësi Rashkaj tha se gjykata ka autorizuar Sektorin e Hetimeve Rajonale – Ekipin e Krim-Teknikës në Gjakovë që të merr gjurmët e gishtërinjve të të akuzuarit Dedë Lleshi, ku Policia e Kosovës sot përmes telefonit e kanë informuar gjykatën se kanë vepruar sipas urdhëresës, po për shkak të një gabimi teknik nuk kanë arritur të nxjerrin rezultatin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 18 prill 2024, Dedë Lleshi akuzohet se më 12 korrik 2003, në fshatin Raçë të Komunës së Gjakovës, në afërsi të dyqanit “V-Shala”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.N., (47-vjeçar). Rasti thuhet se ka ndodhur për shkak të vrasjes së babait të tij P.Ll., të cilin para 12 vitesh e ka privuar nga jeta N.N,.

Në aktakuzë thuhet se ditën kritike, tani i pandehuri Lleshi shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit N., kur ky i fundit ka hyrë në dyqan për të blerë gjëra ushqimore, i pandehuri Lleshi e pret, me të vërejtur se del nga dyqani, prej një afërsie shtie në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Aktakuza thotë se edhe kur viktima bie në tokë, i pandehuri Dedë, përsëri shtie në drejtim të kokës së viktimës, duke ia dëmtuar në tërësi pjësën e majtë të fytyrës, po ashtu duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, e nga plagët e marra nga viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 30, par.2 pika 3 të LPK-së.

Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se i pandehuri Dedë Lleshi, nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati. Ai është arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se më 7 shkurt 2024, nga ana e zyrtarëve policorë janë njoftuar se i pandehuri Lleshi, është ekstraduar nga SHBA, dhe është sjellë në Aeroportin e Prishtinës, e më pas në ndalim në Stacionin policor në Gjakovë.

Ashtu që, pasi i akuzuari ka qenë më parë në arrati, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 8 shkurt 2024 kishte marrë aktvendim për rifillim të hetimeve për vrasje e armëmbajtje pa leje, në lidhje me vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2003 dhe është paraqitur kërkesa për paraburgim. Më pas, të njëjtit iu caktua masa nën të cilën vazhdon të jetë ende.

Sipas aktakuzës, gjatë procedurës hetimore është vërtetuar në tërësi se i pandehuri Dedë Lleshi, ka kryer veprën penale “Vrasje”, ndërsa sa i përket veprës penale “Mbajtja pa autorizim i armëve dhe municionit” nga neni 8, par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7, ka ardhur në përfundim se ka kaluar afati absolut i parashkrimit të ndjekjes penale, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale.

“…andaj duke u gjendur në këto rrethana dhe faktet e lartpërmendura, kemi marrë Aktvendim për pushimi e pjesërishëm të hetimeve, ndaj të pandehurit Dedë Lleshi, për shkak të veprës penale Mbajtja pa autorizim të armëvve dhe municionit nga neni 8 par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7″, thuhet në aktakuzë.