Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin, dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët janë duke u hetuar në një rast për përvetësim të pasurisë së paligjshme.
Fletarresti u publikua në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku theksohet se personat janë nën hetim për kryerjen e veprës penale.
Ndërkohë një ditë më parë Gjykata Penale pranoi propozimin e Prokurorisë dhe i caktoi paraburgim 30-ditorë ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Në momentin që do të jenë të kapshëm për organet e rendit, Grubi dhe Bajrami do të dërgohen në burg.
“Pas informimit të MPB-së se dy personat për të cilët Prokuroria propozoi paraburgim, ndërsa kanë të bëjnë me hetimin për Lotarinë Shtetërore janë të pakapshëm për organet e rendit, merret vendim për pranimin e propozimit dhe caktohet masa e paraburgimit 30-ditorë, për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165.”, thonë nga Gjykata Penale.
Ndërkohë Penalja vendosi për shqiptimin e masave të sigurisë, përkatësisht marrjen e pasaportave për 4 të përfshirët e tjerë në hetimin për Lotarinë Shtetërore. Ditë më parë Prokuroria njoftoi se Grubi dhe Bajrami dyshohen se janë bashkëkryerës të veprës penale “Mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim të paktën katër vjet burg. Katër të dyshuarit e tjerë, të cilëve u janë marrë pasaportat, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën që u ngarkohet sipas Kodit Penal, rrezikojnë burg të paktën 5 vjet. Dëmi i kryer në Lotarinë Shtetërore, sipas Prokurorisë është mbi 500 milionë denarë ose rreth 8.2 milionë euro./RTK/