Lajme

Ekrem Hyseni: Sondazhi më i saktë do jetë ai i 9 shkurtit – LDK do të jetë partia e parë

12/17/2024 22:15
nga:Sh R

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ekrem Hyseni, ka reaguar ndaj sondazheve të publikuara nga UBO Consulting, raporton Gazeta Blic.

Hyseni në një prononcim për GazetaBlic, thotë se sondazhi më i mirë dhe më real do jetë ai i 9 shkurtit.

Ai thotë se besojnë te vullneti i qytetarëve dhe jo te sondazhet e porositura.

“Sondazhi më i mirë, më real, më i saktë do jetë sondazhi i 9 shkurtit, kur qytetarët do ta thonë fjalën e tyre. Ne i besojmë vullnetit qytetar dhe jo sondazheve të porositura, të cilat siç i keni parë edhe në zgjedhjet e fundit lokale, huqjet kanë qenë të mëdha”, tha ai.

Ndër të tjera, Hyseni thekson se në zgjedhjet e 9 shkurtit LDK-ja do të jetë partia e parë.

Tutje, ai potencoi se frika nga rënia drastike i detyron të bëjnë një propagandë të tillë.

“Ne besojmë se LDK do jetë partia e parë. Përqindja janë qytetarët që na e përcaktojnë secilit nga ne. Çdo gjë tjetër, tani për tani mbetet në nivel propagande, e cila natyrshëm se ka qëllim. E, qëllimi është i qartë: frika nga rënia drastike, i detyron të bëjnë një propagandë të tillë. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tereni flet ndryshe, ashtu siç besojmë se do flasin qytetarët më 9 shkurt!”, përfundoi Hyseni për GazetaBlic.