Momentalisht në Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore të Policisë së Kosovës janë tre psikolog klinik që janë në shërbim për të gjithë policët e Kosovës.
Në një të ardhme të afërme, Policia ka planifikuar që të shtohen këta psikologë.
Kështu bënë të ditur PK-ja në një përgjigje me shkrim.
“Aktualisht në Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore të PK-së janë të punësuar 3 (tre) Psikolog Klinik dhe në të ardhmen e afërt është e planifikuar që të punësohen edhe 2 (dy) Psikologjë Klinikë”, thuhet në përgjigjen dhënë për GazetaBlic.
Por, sa është i mjaftueshëm numri i tre psikologëve, flasin njohësit e kësaj fushe.
Sipas policit tashmë në pension Rrahman Sylemani thotë se si profil i specializuar janë të mjaftueshëm.
“Policia e Kosovës përmes viteve të krijimit të saja, ka disa vite që e ka edhe drejtorinë e posaçme në kuadër të drejtorisë së përgjithshme, drejtoria për shërbime shëndetësore. Në kuadër të kësaj drejtorie janë të punësuar edhe tre psikologë, por ka edhe staf tjetër mjekësor, atë teknik dhe profil të mjekut të përgjithshëm. Po ashtu, edhe në regjionet kanë edhe sektorë për shëndetësi që i monitorojnë, që i këshillojnë e janë afër të gjithë atyre zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në atë regjion. Kështu që, ata si profil i specializuar janë të mjaftueshëm sepse nuk i trajtojnë të gjitha rastet, nuk shkojnë të gjitha rastet te ta, por vetëm tek ato që rekomandohen prej nivelit regjional dhe lokal në rastet që rekomandohen, atëherë mund të vijnë këtu në nivel qendror për ndonjë këshillim, apo ndonjë zbatim të ndonjë terapie”, u shpreh ai në një intervistë dhënë për GazetaBlic.
Tutje, Sylejmani thekson se në rast se është e nevojshme, mund të rritet numri i tyre, duke përfshirë kështu në secilin rajon të Kosovës.
“Nëse është e nevojshme ata mund edhe ta rrisin, nuk ka të keqe asgjë, pra me pasë çdo regjion nga një të paktën”, potencoi ai.
Ndërsa, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, thotë se numr i policëve është pesëshifror dhe se numri prej tre psikologëve është i pamjaftueshëm.
“Detyrat e policisë në momente të caktuara nuk janë çdoherë të planifikuara kur kemi plan operativ me personel të mjaftueshëm operativ dhe të pajisur me pajisje adekuate si dhe vlerësim të rrezikut. Ballafaqimi me situata dhe individë ad hoc sjell pasoja dhe strese të ndryshme. Në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me operacione të ndjeshme është krejt normale të jetë prezent edhe stresi. Numri i policëve është 5 shifror dhe tre psikologë sikur te trajtonin të gjitha rastet janë pak, por mos rekomandimi i policëve për trajtim i bënë ata të ndihen komod dhe të relaksuar”, tha Maliqi në një përgjigje dhënë për GazetaBlic.
Vetëm gjatë këtij viti, nga Policia e Kosovës janë dalë tri gjenerata, ajo e 59, 60 dhe së fundmi e 61./GazetaBlic/