Në zgjedhjet e 9 shkurtit, për herë të parë Lindita Bekteshi vjen si kandidate për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Me angazhim të fortë për zhvillimin e Kosovës dhe përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike, ajo premton se do të sjellë një ndryshim të ri në politikën e vendit.
Duke marrë parasysh faktin që ka qenë gazetare për një kohë të gjatë, Bekteshi e quan të papranueshme qasjen e kryeministrit Kurti karshi mediave, madje ajo thotë se skandalet e publikuara së fundi e kanë mbushur me mllefin Kurtin dhe kabinetin e tij.
“Duke u bazuar në profesionin tim si gazetare, nuk do të kisha pritur që një kryeministër i një vendi demokratik të kishte qasje të tillë, si ai dhe kabineti i tij, duke e ditur që ato gazeta e portale e kanë përkrahur për një kohë të gjatë. E papranueshme është edhe rritja kah ana e Serbisë, sepse nëse do të kishte diçka të tillë, atje do të rrezikohej siguria kombëtare e vendit.”
“Më vjen keq se si trajtohen mediat e lira sot nga Qeveria. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një veprim i tillë. Nga këto veprime cenohet rëndë edhe jeta e gazetarëve. Unë mendoj se kjo qasje mund të ketë edhe një qëllim të caktuar, pasi kohëve të fundit mediat kanë publikuar skandale të qeverisë dhe përmes tyre mund ta shfaqin mllefin.”
Bekteshi gjithashtu kritikoi qeverinë për paaftësinë për të zgjidhur çështjet financiare në komunat e Kosovës, duke e quajtur kontratën kolektive të arsimit si një barrë të madhe për to. Në anën tjetër, shton se Qeveria Kurti është shkelësja më e madhe e Kushtetutës, gjithçka këto vite si shtet.
“Unë, jam rreth pesë viteve në administratën e komunës së Obiliqit, por unë mendoj se kjo qeveri është e vetmja që është marrë më së paku me komunat. Kontrata kolektive e arsimit është duke shkaktuar kaos financiar në sistemin lokal. Qeveria nuk po mundohet ta zgjidhë këtë problem, komunat nuk janë pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes, barrën e madhe po e bartin komunat duke u kualifikuar edhe në raportet e ZKA-së.”


