Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale siç kishte pasur ftesë, për shkak se ishte në udhëtim jashtë vendit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj, tha se nga Zyra e Kryeministrit janë njoftuar se ai e ka pasur të pamundur të paraqitet në Prokurori.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim. Nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është njoftuar se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.
Ajo tha se Prokuroria Speciale do t’ia përgatisë një tjetër ftesë Kurtit.
“Konform ligjit Prokuroria Speciale do ta përgatitë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Ky është i gjithë informacioni që mund ta ndajmë tani për tani”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.
Mirëpo, më pas nga Zyra e Kryeministrit u tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Por, si e komentojnë avokatët kërkesën e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale dhe a mund të intervistohet ai në Zyrën e Kryeministrit, siç dhe ka kërkuar?
Avokati Yll Zekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, flet për dy përgjigjet e dhëna nga Zyra e Kryeministrit, derisa kërkesën e Kurtit e sheh problematike.
“Përgjigjen e kryeministrit e kam parë në dy pjesë, fillimisht se kryeministri gjendet jashtë vendit dhe e ka të pamundur të shkojë për t’u intervistuar, që është brenda kërkesave ligjore për arsye që edhe ligji e përcakton që nëse një palë nuk ka mundësi të intervistohet në ditën e caktuar dhe e arsyeton mos praninë e tij, atëherë prokurorët duhet ta kenë mirëkuptimin, e për më tepër kur kemi të bëjmë me kryeministrin e vendit, për shkak të agjendës së tij e sidomos kur është jashtë vendit. Kurse, problematike ishte pjesa e dytë e përgjigjes ku Zyra e Kryeministrit e ftoi prokurorinë dhe shprehu gatishmërinë e kryeministrit që t’i pres në zyre prokurorët për t’u intervistuar dhe kësaj përgjigje i doli në mbrojtje edhe ministrja e drejtësisë, që është problematike për faktin se ligji nuk bën dallime mes të kryeministrit dhe qytetarëve të Kosovës”, thekson ai.
Zekaj thotë se Kurti është njësoj si çdo qytetar i Kosovës dhe intervistimi jashtë Prokurorisë vlen për persona që e kanë të pamundur të paraqiten në prokurori.
“Kryeministri është vetëm një qytetar i Kosovës që në këtë rast i njëjti duhet t’i përgjigjes prokurorisë speciale dhe të mos bëjë lojëra politike. Kodi i procedurës penale parasheh që persona të caktuar mund të intervistohen jashtë prokurorisë ose gjykatës në rast të probleme shëndetësore dhe e kanë të pamundur të shkojnë në prokurori ose gjykatë. Kjo nuk vlen te kryeministri dhe i njëjti duhet t’i përgjigjet ftesës dhe ta respektojë atë, për të dhënë shembull te qytetarët e Kosovës”, vlerëson avokati për Gazeta Blic.
Ai ka folur dhe për pasojat ligjore nëse kryeministri nuk shkon për t’u intervistuar në prokurori, teksa përmend gjobën dhe në rastin më të keq edhe burgosjen.
“Unë besoj që prokuroria ia ka bërë me dijë obligimet ligjore përmes ftesës. Ne e kemi parë që prokuroria i ka dërguar një ftesë të kompletuar që jo shpesh e bën me qytetarët e tjerë, aty ishin të gjitha udhëzimet se çka ndodh nëse nuk i përgjigjet ftesës. Kodi i procedurës penale thotë se nëse nuk përgjigjet dëshmitari, prokuroria ka arsye të besojë se i njëjti i shmanget pa arsye intervistimit, atëherë ai mund të gjobitet me 250 euro për çdo rast që nuk paraqitet, e në rastin me të keq mund të burgoset në periudhë jo më shumë se 1 muaj, nëse dëshmia e tij bëhet e pavlefshme, apo jo më shumë se 1 muaj. Si qytetar i Kosovës nuk do të dëshiroja ta shoh kryeministrin e vendit tim në një pozicion të tillë kur ballafaqohet me pasojat që i parasheh kodi penal duke mos respektuar ftesën e prokurorisë speciale”, ka deklaruar avokati Yll Zekaj.
Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari, thotë për Gazeta Blic se detyrimi për t’u paraqitur për intervistim vlen për të gjithë qytetarët pa përjashtim.
“Detyrimi për t’u paraqitur për intervistim sipas ftesës së prokurorit të shtetit është për të gjithë qytetarët pa përjashtim, vlerësoj se sa i përket ditës së sotme kjo gjë ishte e arsyetuar, për shkak të agjendës së paracaktuar të Kryeministrit”, shprehet ai.
Sipas avokatit, kërkesa për intervistë jashtë zyrave të Prokurorisë është e pabazuar dhe paraqet vështirësi teknike.
“Pres po ashtu dhe shpresoj që të dakordohen dhe për datën dhe kohën e realizmit të këtij procesi, vlerësoj se një kërkesë që intervista të realizohet në ambiente jashtë zyrave të prokuorisë, është e pabazuar, e po ashtu paraqet edhe vështirësi të natyrës teknike, për faktin se tashmë prokuroria Speciale ka të instaluara aparaturë për incizimin e intervistave”, vlerëson Bajraktari për Gazeta Blic.
Andaj, ai e sheh edhe të panevojshme një kërkesë të tillë.
“Prandaj një kërkesë e tillë vlerësoj se është e pa bazuar, e pa nevojshme, por pres koordinim të akterëve me qellim të kryerjes së këtij detyrimi ligjor, sa më parë që të jetë e mundur”, deklaron avokati Ardian Bajraktari./Gazeta Blic/
Kryeministri Kurti shprehet i gatshëm t’i presë prokurorët në zyrë
Prokuroria Speciale: Kurti ndodhet për vizitë jashtë vendit, do të ftohet sërish për të dëshmuar


