Robert Rrahmani është padyshim një nga lojtarët më të mirë të Gjilanit në sezonin 2024/25.
Edhe dje në fitoren e Gjilanit ndaj Dritës me rezultatin 1-0, Rrahmani ishte një nga lojtarët më të spikatur në fushë.
Rrahmani potencoi se që prej bashkimit me Gjilanin në merkaton e verës, ai po ndihet si në familje. Kjo u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e trajnerit Ardian Nuhiu në stolin e skuadrës gjatë ditës së djeshme, pavarësisht se ai humbi nënën e tij dy ditë më parë.
Futbollisti kreativ i Gjilanit thotë se fitoren e djeshme ia dedikojnë trajnerit dhe tifozëve “Skifterat”.
“Nga momenti i parë që kam ardhur këtu, e kam gjetur veten sikurse një familje. Ekipi është më i bashkuar se kurrë dhe sfidat normalisht se na bëjnë edhe më të fortë. Jemi pranë njëri tjetrit në çdo formë. Kjo fitore ishte për trajnerin, i cili na ka besuar dhe mbështetur nga dita e parë. Fitore për veten tonë për t’i treguar vlera tona dhe fitore për tifozët të cilët e kanë merituar për përkrahjen e madhe që na kanë dhënë”, tha fillimisht Rrahmani për ‘GazetaBlic Sport’.
Rrahmani dje e shijoi fitoren e parë në derbin e “Anamoravës”, e për këtë ndihet shumë i lumtur.
“Normalisht se ndjenjë e mirë. Tifozët ishin afër nesh edhe jashtë fushe dhe ndjenjë e jashtëzankoshme kur i sheh gjithë ato fytyra të gëzuara pas ndeshjes dhe ne do të luftojmë në çdo ndeshje për ta”, përfundoi ai.
Gjilani dje triumfoi në derbin e madh kosovar ndaj Dritës me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Armend Thaqit në minutat e fundit.
/GazetaBlic Sport/