“Epic save“, “kidera“, “cold“, janë disa nga shprehjet që të rinjtë i përdorin çdo ditë. Pse është e rëndësishme të njihet fillimisht gjuha amtare dhe sa mund të zëvendësohen fjalët e huaja me tonat? Si e interpretojnë këtë dukuri ekspertët?
Nëse një djalë arrin të mahnitë një vajzë, nxënësit e shkollave të mesme dinë të thonë se “ka rënë në grep“. Nëse ndodh që dikush të mos shkojë në shkollë, sepse është i sëmurë, pikërisht në ditën kur ka një test të vështirë në matematikë, për shembull, shokët mund t’i thonë se kjo është “epic save” pra “ka shpëtuar“, dhe shpëtimi është i përmasave “epike“.
Të flasësh kështu është krejtësisht e zakonshme për disa të rinj. Ndonjëherë, e kanë të vështirë t’i kujtojnë shprehjet e duhura në maqedonisht.
“E kam më lehtë të shprehem kështu, deri në atë shkallë sa ndonjëherë më duhet më shumë kohë për t’u kujtuar se si ta them të njëjtën gjë në maqedonisht. Për ne është normale të themi ‘sigma’ për ndonjë djalë që është popullor dhe e pëlqejnë vajzat, ose ‘cold’ kur dikush bën diçka shumë të mirë”, thotë nxënësi i shkollës së mesme, Goce.
Nxënësja Jana, nga ana tjetër, shpjegon se “fejker“ është njeri që gënjen, dhe këtë ndoshta do ta kuptonin më lehtë të moshuarit që e dinë se “fake“ është diçka e rreme. Por, ka fjalë të tjera, që për t’u kuptuar, duhet t’iu shpjegohen me fjalë tjera gjeneratave më të vjetra.
“Për shembull, ata që gjithmonë veshin rroba të markave, dhe dalin vetëm në vende të njohura, që dikur i thërrisnin ‘kremca’, sot ne i quajmë ‘gaserë’. Të tjerët, që nuk u intereson të veshin markë, dëgjojnë kryesisht muzikë alternative, dhe kryesisht dalin në parkun e qytetit, i quajmë ‘parkashë’“, thotë Jana.
Përkthimin ose kontekstin e disa prej këtyre shprehjeve, ndonjëherë e kërkon nga nxënësit edhe profesoresha, Tanja Aleksiq. Ajo ligjëron gjuhën maqedonase në gjimnazin e Shkupit
“Korçagin“, dhe vëren se në zhargonin e të rinjve ka shumë serbizma.
“Shumë nxënës e përdorin fjalën ‘posho’, nga serbishtja ‘pošto’, edhe pse kemi katër fjalë me të cilat do të zëvendësohej. Unë për shaka u them: ‘Kud si pošo bre burazeru (nga je nisë o ‘byrazer’)?’. Pastaj, ‘sekad’ po ashtu, gjithmonë. Disa thonë ‘nikad’ për kurrë, të tjerët nga gjithmonë e kanë bërë ‘sekad’”, thotë profesoresha.
Nëse flasin vetëm mes vete, nuk është e rrezikshme, por është ndryshe në paraqitjet zyrtare, vlerëson ajo.
“Është e rrezikshme kur ne flasim zyrtarisht me zhargon, në shkollë, në media, në paraqitje publike, politikanët në parlament. Kjo është tashmë serioze. Mirëpo, zhargoni, nëse përdoret në jetën e përditshme, në komunikimin e tyre intern, është simpatik. Nuk mund të prisni që të rinjtë kur shkojnë në diskotekë, në mes të turmës të thonë: ‘më fal djalë, nëse mund të largohesh pak që të kaloj, të shkoj të marr një pije’. E pamundur! Do të thonë: ‘vëlla, ik, largohu, zhduku’“, shton Aleksiq.
Drejtoresha e Institutit për Gjuhë Maqedonase “Krste Misirkov“, Dr. Elena Jovanova-Grujovska, ka magjistruar me një temë që lidhet me zhargonin ose sllengun si gjuhë e të rinjve. Edhe atëherë, edhe tani, thotë ajo, përfundimi është i njëjtë.
“Sllengu ka jetëgjatësinë më të shkurtër. Është një tipar i gjuhës së një grupi të rinjsh dhe ndryshon nga gjenerata në gjeneratë. Sllengu që përdorin të rinjtë në moshën 25-vjeçare dallon nga ai që përdorin të rinjtë në moshën 20-vjeçare“, thotë Jovanova-Grujovska.
Ajo pajtohet se zhargoni nuk e rrezikon gjuhën letrare maqedonase, por gjithashtu paralajmëron për rrezikun kur shprehje të tilla përdoren në stilin zyrtar.
Profesoresha Aleksiq porosit se është bukur që të rinjtë të dinë më shumë gjuhë, por në vend të parë duhet ta kenë gjuhën amtare.
“Është mirë, të themi, kur lexojnë Bodlerin në frëngjisht ose Viktor Hygon në anglisht, nga fusha e tij gjuhësore. Por, kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të kuptojnë gjuhën maqedonase. Dhe sigurisht që duhet ta dinë dhe ta përdorin gjuhën maqedonase në mënyrë zyrtare“, përfundon profesoresha Aleksiq.
A e kanë maqedonishten në vend të parë?
Për vajzën e re shkupjane, Sofi Vasilevska, nëse libri është shkruar në anglisht, duhet lexuar në anglisht, sepse sipas saj, përkthimet nga anglishtja në maqedonisht janë të dobëta.
“Nëse kam 70 libra, pesë prej tyre janë në maqedonisht“, thotë Vasilevska.
Edhe shoqëria e saj mendon njëjtë.
“Kanë të njëjtin mendim si unë, që leximin në maqedonisht e konsiderojnë paksa të mërzitshëm, nuk ka shprehje të bukura. Në anglisht, megjithatë është disi më ndryshe dhe na pëlqen më shumë të gjithëve“, thotë shoqja e saj, Ivana Ristiq.
Ajo, madje, edhe disa lektura i lexon në anglisht, pastaj, siç thotë, vetëm “i përkthen“ në mendjen e saj.
Por, kjo është një qasje e gabuar, sipas të riut Kristijan Bojarovski.
“Duhet të respektojmë gjuhën tonë dhe të lexojmë në maqedonisht dhe të flasim maqedonisht“, konsideron Bojarovski.
I riu, Ivan Ristevski, nga ana tjetër, thotë se ka tituj të mirë në maqedonisht, por bashkëmoshatarët e tij duhet të hulumtojnë më shumë.
“Mendoj se duhet që theksi të vendoset pak pak mbi gjuhën tonë, për shkak se me të vërtetë është një thesar i madh“, thotë Ristevski.
“Dygjuhësia e bë moderne në dëm të gjuhës amtare“
Jovanova-Grujovska vlerëson se dygjuhësia paraqet problem, nëse prindërit që në moshë të re i orientojnë fëmijët kah gjuha angleze, në vend se kah gjuha amtare, dhe kështu si fëmijë fillojnë të flasin më vonë, dhe si të rinj kanë problem me pranimin dhe përvetësimin e gjuhës maqedonase.
“Që të rritet një fëmijë i tillë, duhet që nga mosha e njomë t’i imponohet se maqedonishten gjithsesi do ta mësojë, por është e rëndësishme ta njohë anglishten, që do t’i shërbejë si një dritare kah bota dhe si mundësi që të punojë në të gjithë botën, madje edhe për largim nga vendlindja. Thjesht, sikur prindërit vetë t’i përgatisin fëmijët për t’u larguar nga vendlindja,“ konsideron ajo.
Ajo beson se dygjuhësia është bërë moderne në kurriz të gjuhës amtare, dhe kështu familje të tëra sillen ndaj gjuhës amtare si ndaj një gjuhë me më pak vlerë.
“Fëmijët nuk duhet të mendojnë se janë “in“, ja do përdor një anglicizëm, nëse flasin gjuhë të huaja, dhe janë “out“, nëse flasin gjuhën maqedonase. Nuk ka asgjë më tërheqëse dhe më të mirë se ajo që njeriu të flasë gjuhën e shtetit në çdo rast, ndërsa në shtëpi si të dëshirojë“, thotë profesoresha Aleksiq nga shkolla e mesme “Korçagin“.
Duhet të gjenden fjalë të reja maqedonase
Disa fjalë thjesht “kalojnë“. Ato bëhen pjesë e gjuhës për një vit, dy, tre, pesë dhe më pas zhduken. Por, ka fjalë që mbeten, vë në dukje drejtoresha e Institutit për gjuhën maqedonase.
“Është detyrë e Institutit të gjuhës maqedonase që të njohë fjalët që eventualisht do të hynin në plotësimin e fjalorit shpjegues. Mirëpo, këtu nuk duhet të shpejtohet. Pse? Për shkak se është shumë e pakëndshme që njeriu ta thotë këtë, por, do ta themi, në thonjëza, u treguam si popull përtac, i cili e ka shumë më të lehtë të marrë një fjalë të huaj nga anglishtja sesa të kujtojë fjalën maqedonase që mund t’i jepet një vlerë e re, me kuptimin e dytë ose të tretë, e që mund të shfrytëzohet në gjuhë për të shërbyer në transmetimin e informacioneve,” thotë Jovanova Grujovska.
“Nëse vetëm pranojmë fjalë të reja nga anglishtja, duke harruar ato maqedonase, ne vetë po gëryejmë themelet e shkatërrimit të gjuhës,” konsideron ajo.
“Kroatët punojnë për krijimin e fjalëve të reja. Ne tallemi me ato fjalë, mirëpo ata punojnë për këtë, ashtu sikurse edhe ne duhet të punojmë në rastin tonë. Të mos themi pastaj se e kemi të varfër gjuhën, nuk kemi përkthim direkt. Edhe nuk kemi, edhe nga gjuha serbe, sa herë kërkojmë fjalë të cilën nuk mund ta përkthejmë në mënyrë përkatëse. Duhet të bëhen më shumë hulumtime, Instituti duhet të punojë dhe ta forcojë gjuhën,” thotë Aleksiq.
Jovanova Grujovska argumenton se “rasti me kroatët, të cilët fjalëve të vjetra u japin domethënie të reja dhe i mbajnë gjallë, është begatim i leksikut”
“Mirëpo, edhe për të futur fjalë të reja nevojitet një periudhë adaptimi dhe gjallërimi, sepse është e rëndësishme se sa fjalë, pas dhjetëra vitesh, do të mbeten nga këto që po hyjnë tani.
Instituti paralajmëron trajnime për gazetarët, në të cilat do të rekomandohen forma gjuhësore dhe planifikon që t’u rekomandojë institucioneve të sigurojnë trajnime për përgatitjen e politikanëve për paraqitje publike, për shkak se ata çdo ditë ‘janë nëpër shtëpitë’ e qytetarëve dhe kanë ndikim,” thotë drejtoresha e Institutit.
Në përgatitje është edhe vëllimi i parë i fjalorit të drejtshkrimit të gjuhës bashkëkohore maqedonase, në të cilin do të përfshihen edhe fjalë të reja, që ekspertët kanë zbuluar se jetojnë./REL