Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se më 17 dhjetor do të mbahet takimi i siamezve Bislimi-Petkoviç e Lajçak, për të uruar festat e fundvitit, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, takimi do të jetë sfidues, derisa shton se është tendencë e Lajçakut për ta mbajtur dialogun e hapur, pasi e ka devijuar tërësisht nga legjitimiteti kushtetues dhe për të shmangur gjoja një bllokadë të plotë.
“Tema më e diskutueshme për palën serbe pritet të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë derbe, me çka Serbia synon një strukturë përmes të cilës do të ruajë ndikimin e saj mbi serbët në Kosovë dhe vetë Kosovën. Kurse për Kosovën, sfida është ruajtja e sovranitetit politik e territorial dhe funksionalitetit të shtetit”, ka shkruar Berisha ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Takimi i planifikuar për 17 dhjetor mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë është një moment i rëndësishëm, por sfidues, në procesin e dialogut mes dy vendeve.
Ky takim është një tendencë e deshtakut Lajçak, për të mbajtur dialogun të hapur pasi e ka devijuar tërësisht nga legjitimiteti kushtetues dhe për të shmangur gjoja një bllokadë të plotë, por pritjet duhet të jenë të moderuara.
Takim po planifikohet në një kohë kur tensionet politike dhe mungesa e besimit reciprok vazhdojnë të dominojnë marrëdhëniet.
Pyetjet kryesore që lidhen me këtë takim janë nëse do të ketë përparim real në dialog, që është jashtë realitetit dhe nëse do të mund të adresohen çështjet thelbësore që kanë mbetur pezull dhe e kanë bllokuar procesin?
Në këtë fazë, dialogu Kosovë-Serbi është më shumë një arenë për presion ndërkombëtar sesa një proces me vullnet të qartë politik nga palët. Ky presion do të intensifikohet më shumë për dy arsye: pranimi dhe futja e Kosovës në detyrime ndërkombëtare me marrëveshjet e vitit 2023, dhe të përmbush zotimet e agjendes antishtet ndaj Kosovës, si detyrim nga sponsorët e tij politik kundër shtetësisë së Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po luajnë një rol vendimtar në mbajtjen gjallë të procesit, por mungesa e rezultateve konkrete ka ulur besueshmërinë e dialogut në sytë e qytetarëve.
Takimi mund të shihet si një mundësi për të rifreskuar angazhimin dhe për të identifikuar pika ku mund të ketë progres. Ajo çka pritet është të shtojnë presionin mbi të dyja palët për të arritur marrëveshje në fusha specifike, siç janë asociacioni i komunave me shumicë serbe por edhe me tej mbetet një sfidë për shkak të pozicioneve të ngurtësuara të palëve.
Tema më e diskutueshme për palën serbe pritet të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë derbe, me çka Serbia synon një strukturë përmes të cilës do të ruajë ndikimin e saj mbi serbët në Kosovë dhe vetë Kosovën.
Kurse për Kosovën, sfida është ruajtja e sovranitetit politik e territorial dhe funksionalitetit të shtetit.
Temat humanitare, si çështja e të pagjeturve, mund të jenë pika që përmbushin diskursin politik elektoral dhe ku mund të përsëritet një dakordësi retorike, edhe pse zgjidhja e këtyre çështjeve mbetet larg.
Në çështjën e njohjes së ndërsjellë pak gjasa ka që të arrihet progres, për shkak të rezistencës së Serbisë dhe marrëveshjes 2023, me të cilën Serbia lirohet nga detyrimi i njohjes dhe ndryshimi i kushtetutes për 10 vite, sipas Aneksit 35 të BE, ndërkohë që mbetet vetëm detyrimi për normalizim të raporteve me zbatimin e 39 marrëveshjeve të ratifikuara në kuvend, shto kësaj edhe marrëveshjet për pasaporta paralele, dinarin, etj.
Kurse nga ana e ndërkombëtarëve mungon një plan konkret për të shtyrë këtë agjendë përpara.
Pozicionet e qeverisë së Kosovës dhe opozitës, si dhe ndikimi i Serbisë në veri të Kosovës, do të ndikojnë në narrativën dhe pritjet pas takimit. Çdo kompromis mund të përballet me kritika të ashpra nga të dyja palët. Prandaj me Lajçakin si ndërmjetës me siguri se ky takim kurtoazie është sa për t’ia uruar njëri-tjetrit frstat e fundvitit, Bislimi e Petkoviç.
Çdo progres real do të varet nga gatishmëria e të dyja palëve për të pranuar kompromiset e nevojshme dhe nga fuqia e ndërmjetësve ndërkombëtarë që vije nga qëllimi legjitim për të imponuar një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme. Nëse takimi nuk arrin rezultate konkrete, do të përforcohet perceptimi se dialogu është më shumë një formalitet sesa një proces që ofron zgjidhje reale dhe përfundimtare.