Lajme

Erdogan takon Orban: Bashkëpunim me BE-në për të rindërtuar Sirinë

12/12/2024 17:28
nga:Y I

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ishte i nevojshëm bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për rindërtimin e Sirisë.

Këto deklarata ai bëri gjatë një takimi në Ankara me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Sipas liderit turk “zhvillimet e fundit në Siri kanë treguar se sa e plotë është politika e jashtme humanitare dhe e ndërgjegjshme e Turqisë dhe se bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Evropian është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit, në rindërtimin e Sirisë dhe në reformimin e institucioneve ekzistuese”, thuhet në deklaratën e Presidencës turke.

Të dy udhëheqësit kanë diskutuar zhvillimet në konfliktin Ukrainë-Rusi dhe Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gaza dhe Siri, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Vizita kryeministrit hungarez në Ankara vjen pasi Orbán zhvilloi një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin.

Kremlini konfirmoi të enjten se Orban i ofroi Putinit të merrte pjesë në një shkëmbim të madh të të burgosurve dhe një armëpushim gjatë Krishtlindjeve në konfliktin Rusi-Ukrainë. Vetë Erdogan udhëhoqi përpjekjet e Turqisë për paqen midis dy vendeve dhe arriti të ndërmjetësojë një marrëveshje midis dy vendeve për transportin e grurit të Ukrainës në mes të konfliktit, megjithëse përpjekjet për një paqe të qëndrueshme deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat të prekshëm.

Orban, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, filloi një mision të vetëquajtur paqeje për konfliktin Rusi-Ukrainë. /A2/