Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka thënë se Qeveria Kurti ka qenë në ‘luftë’ për katër vite me SBASHK-un.
Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se qeveria ka dështuar në arsim, pasi nuk e ka pasur prioritet.
“Unë mendoj se Qeveria Kurti ka pasur në këto katër vite luftë me sindikatën e arsimit. Me të ardhur në pushtet, Kurti i shpalli luftë SBASHK-ut, është e papranueshme që të ndodhë një gjë e tillë për një qeveri të majtë, e cila do të duhej të kishte bashkëpunim të ngushtë me sindikatat. S’ka qenë prioritet arsimi për këtë qeveri, derisa ka treguar se arsimi ka qenë prioritet i fundit. Rezultati i nxënësve nuk ka qenë i tyre por i ministrisë së arsimit”, është shprehur Bejta.
Ajo ka folur dhe për reformat që synon t’i bëjë LDK nëse vjen në Qeveri, duke e pasur arsimin si prioritet.
“Me planin zgjedhor që ka ofruar LDK, e shohim si prioritet arsim. Kemi në plan ndërtimin e infrastrukturës në arsim, ndërtimin e raporteve të mira me të gjithë akterët që mund të ndikojnë në rritjen e cilësisë arsim, me trajnim të mësimdhënësve vazhdimisht, si dhe me rritjen e pagave vazhdimisht. Ata meritojnë paga të dinjitetshme në mënyrë që të motivohen dhe të kenë mësimdhënie më të lartë dhe të ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë në arsim. Me këto 3-4 kondita, mendoj që arsimi do të ketë një rol në qeverisjen e LDK-së duke arritur rezultate së bashku”, ka vlerësuar kandidatja për deputete.
Po ashtu, Bejta ka folur për premtimin e Kurtit për rritje të pagave dhe zotimin e LDK-së për koeficient 150 euro që në javën e parë të qeverisjes.
“Premtimet e vazhdueshme të kryeministrit Kurti siç po duket janë paradoks edhe për të gjithë shoqërinë sepse asnjë premtim që e ka dhënë në këto 4 vite dhe para se të vinte në pushtet nuk i ka realizuar. Ne do të kemi një qasje dhe vizion tjetër, ku do të bashkëpunojmë edhe me shoqërinë civile dhe me punëtorët e sektorit publik. Për premtimin e kryeministrit në ardhje, z.Lumir Abdixhiku, në javën e parë të mandatit është i realizueshëm sepse kemi përllogaritur me kujdes nga profesionistë të ekonomisë. Ky premtim është i realizueshëm sepse ka bazë në kalkulimin e tij dhe mendoj që do të ndikojë në rritjen e cilësisë së jetës te sektori publik”, ka deklaruar Fiknete Bejta, kandidate për deputete nga LDK./Gazeta Blic/