Ministria e Financave njofton se iniciohet marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë, si dhe Ministri Murati mirëpriti për herë të parë në Kosovë Zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Z. Luka Mesec.
Gjatë takimit, palët u pajtuan që të iniciohet marrëveshja për sigurime shoqërore mes dy vendeve, në mënyrë që të lehtësohet barra e qytetarëve tanë që jetojnë në Slloveni, si dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë.
Sipas njoftimit, inicimi i kësaj marrëveshjeje u konsiderua si interes i përbashkët i të dyja vendeve, andaj takimi i sotëm hapi rrugë për fillimin e negociatave ndërmjet ekipeve teknike drejt finalizimit të marrëveshjes, përcjell GazetaBlic.
Tutje, në këtë takim u diskutuan edhe mundësi të tjera për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë tek fusha e punësimit dhe mundësia e zhvillimit të programeve të përbashkëta në këtë drejtim.
Palët shprehën vullnetin e tyre për të thelluar bashkëpunimin mes dy shteteve përmes nismave konkrete në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve.


