Lajme

Fiknete Bejta: Nepotizmi i VV-së fenomen i rrezikshëm, LDK do ta luftojë – veprimi i Sveçlës akt vandal

12/11/2024 12:28
nga:G B

Fiknete Bejta, doktor shkence në ekonomi, synon një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht është në mandatin e dytë si asambleistë dhe tani kandidon për t’u bërë deputete.

Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për zhvillimet aktuale politike dhe synimet si deputete.

Bejta e ka quajtur akt vandal dhe të papranueshëm veprimin e shefit të asambleistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, në Komunën e Prishtinës, në seancën për votimin e buxhetit të kryeqytetit.

“Ishte një akt shumë vandal, i papranueshëm dhe të gjithë këshilltarët komunalë nuk u ndiem mirë nga ai vandalizëm. Dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për Komunën e Prishtinës sepse u votua buxheti, ligji më i rëndësishëm i një komune. Ky buxhet është më i madhi ndonjëherë që planifikon 128 milionë euro, që do t’u shërbejnë qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Si veprim i tillë kishte synim ta ndalonte debatin për buxhetin dhe pikat tjera të rendit të ditës dhe kjo si vepër është e papranueshme pasi detyra e asambleistëve është që të jenë në vendin e tyre të punës në Kuvendin komunal të Prishtinës”, është shprehur ajo.


Asambleistja thotë se Vetëvendosje kur i ka numrat thirret në demokraci, ndërsa kur nuk i ka thirren në diktat dhe vendosin ta demolojnë sallën e Kuvendit.

“Është pikërisht opsioni si zgjedh VV ta luajë rolin e tyre politik në komunë. Kur kanë vota për t’i kaluar ligjet me shumicë atëherë thirren në demokraci sepse për ta kur kanë numra është demokraci, ndërsa kur nuk kanë numra thirren në diktat dhe vendosin të demolojnë sallën e Kuvendit, për të dëmtuar procesin demokratik siç është votimi i asambleistëve. Votimi i asambleistëve është personal dhe ju takon aty për të respektuar vendimmarrjen e tyre në Kuvend”, vlerësoi ajo për Gazeta Blic.

Fiknete Bejta ka komentuar punësimet e familjarëve të zyrtarëve të shtetit në institucione publike, së fundi rastit i anetarëve të bordit të KOSST-it.

Këtë fenomen ajo e ka quajtur të rrezikshëm.

“Para se të vinte VV në pushtet trumbetonte se kushërinjtë dhe familjarët janë vetëm për dasma. Por doli që kushërinjtë nuk ishin vetëm për dasma por edhe për t’i shpërblyer me pozita të larta në institucione siç është rasti me KOSST-in por nuk është rasti i vetëm në këtë qeveri pasi ka shumë raste ku kanë tentuar t’i shpërblejnë me pozita të larta në institucione kyçe që për neve është një fenomen i rrezikshëm për institucionet e Republikës dhe kjo nuk është e pazakonshme për këtë qeverisje sepse edhe në nivele komunale edhe në atë qendror, është instaluar nepotizmi si fenomen”, ka potencuar kandidatja për deputete e LDK-së.

Ajo tregon se LDK-ja do ta luftojë nepotizmin, duke respektuar meritokracinë e profesionalizmin.

“LDK e ka bërë të qartë luftimin e këtij fenomeni duke respektuar transparencën, meritokracinë dhe profesionalizmin. LDK me ardhjen në pushtet pas shkurtit 2025 do të instalojë mekanizma të fuqishëm që ta mbrojnë interesin e qytetarëve duke respektuar institucionet e konkursit dhe meritokracisë”, ka deklaruar Fiknete Bejta./Gazeta Blic/