Lajme

Sulmet e Kurtit ndaj mediave/ Abdullahu: Pushteti i ka ditët e numëruara, me 9 shkurt shkurtohet kjo politikë populiste

12/10/2024 10:41
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar sërish dje mediat, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së,

Në ditën kur u nominua për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti sulmoi dhe mediat, raporton Gazeta Blic.

Ai gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, tha se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”.

“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti”, u shpreh Kurti.

Për këtë gjuhë të Kurtit ndaj mediave, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, në një prononcim për Gazeta Blic, pushtetin që bën thirrje për bojkot të disa mediave, i ka ditët e numëruara.

“Një pushtet në një vend demokratik që rekomandon të bojkotohen disa media i ka ditët e numëruara dhe duhet t’i ketë. Kështu duhet të jetë sepse kjo ka të bëjë me thelbin e demokracisë, me lirinë e shprehjes dhe në përgjithësi me të vërtetën. Prandaj gënjeshtra më e rrezikshme është kur pushteti është i bindur se e ka qind për qind patronatin e të vërtetës dhe drejtësisë”, u shpreh ai.

Abdullahu ka përmendur sanksionet e korrupsionin, që thotë se nuk e kanë bërë mediat por Qeveria.

“Nuk e kanë futur mediat Kosovën nën sanksione, nuk e kanë nxitur mediat korrupsionin as mbrojtjen e tij, nuk e kanë rritur mediat inflacionin as çmimin e artikujve elementarë në Kosovë, as prishur raportet tona me ShBA-në, as penguar njohjet e reja të shtetit tonë. Është kjo Qeveri e jo mediat përgjegjëse për këto dhe shumë dështime tjera. E dështimet nuk i lavdëron askush, përveç nëse nuk prireni nga halucinacionet politike”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Sipas Abdullahut, Kurti është i fundit që mund të shes patriotizëm, duke shtuar se me 9 shkurt duhet shkurtuar kjo politikë populiste.

“Kryeministri është i fundit i cili mundet mediave apo kujtdo tjetër t’i shes patriotizëm, sepse është ai që i ka prirë me populizëm radikal politikave përjashtuese ndaj institucioneve të shtetit dhe politikave rrënuese ndaj çdo gjëje të mirë që është krijuar në këtë shtet. Kjo i bie – kur jeni me mua, pra me Qeverinë time, jeni patriotë e solidarë, kur nuk jeni me mua jeni tradhtarë dhe jo solidar. Ai i ka zhgënjyer qind për qind, 51 % që e kanë votuar. Me 9 shkurt duhet ta shkurtojmë këtë politikë populiste dhe atë për hir të solidaritetit dhe patriotizmit, që aq shumë po na mungojnë tash e katër vite”, ka deklaruar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu./Gazeta Blic/