Lajme

Kurti kritikohet ashpër për sulmet ndaj mediave: “Kryeministri në panik”, “do t’i kontrollojë mediat”

12/09/2024 14:48
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar sërish dje mediat, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ku u nominua për kryeministër, raporton Gazeta Blic.

Ai gjatë fjalimit të tij, tha se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”.

“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti”, u shpreh Kurti.

Këtë gjuhë e dënoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme për punën e gazetarëve në vend.

Por, pse kryeministri ka ashpërsuar gjuhën ndaj mediave tani, në prag të zgjedhjeve?

Lidhur me këtë gjuhë, analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Kurti vuan t’i kontrollojë të gjitha mediat, edhe pse ka mjaft media që i ka për vete.

“Nuk është që nuk i ka shumë media për vete porse Albin Kurti si mendje totalitare vuan që t’i kontrollojë të gjitha -jo vetëm mediat – po mendimin e lirë! Sepse ai mësyn njeriun nacionalist të majtë, në një shoqëri relativisht të lirë, që i duhet për ta shpërbërë Atdheun e kosovarëve”, shprehet ai.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se këto sulme ndaj mediave mund të vijnë për shkak të frikës nga rezultati përfundimtar që mund ta ketë VV, duke shtuar se sulmet janë të qëllimshme.

“Mund të jetë edhe rezultat i gjendjes me VV dhe problemet me rezultatin e mundshëm përfundimtar të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. VV dhe Kurti diasporën pra votën e tyre e vlerësojnë si shpëtim për të arritur një rezultat më të mirë zgjedhor, VV është në rënie të madhe në Kosovë, kjo dihet, befasi mund të ketë të mëdha me rezultatin përfundimtar. VV-në në Kosovë e mban shpresa se qytetarët ende mendojnë si para katër vitesh, e kjo dihet që s’ka gjë më prej këtij argumenti. Mendoj se Kurti dhe VV janë në panik dhe janë duke e marrë seriozisht këtë çështje, andaj edhe sulmet politike ndaj gazetarëve dhe analistëve politikë janë të qëllimshme, për t’i thënë opinionit dhe elektoratit se të gjithë pa të drejtë janë bërë kundër VV-së”, shprehet ai.

Burjani kritikon Kurtin për mos reformë në lista të deputetëve, derisa thekson se i pari i VV-së po mendon se është situata e njëjtë si para katër vitesh.

“Kurti nuk ka punuar aspak në reformë të VV-së, pra me këtë përbërje të listës së deputetëve pa emra eminent të shkencës dhe biznesit, nuk ka çka lyp më në zgjedhje. Ai po mendon njëjtë si para katër vitesh, se me rëndësi është që ai është prijës i listës dhe emri i liderit do të triumfojë dhe s’ka rëndësi lista e deputetëve, këto gjëra nuk ecin, kane ecur para katër vitesh, për shkak të mllefit por tash është plotësisht ndryshe. Mediat duhet të lihen të lira ta kryejnë punën e tyre, ato duhet të jenë prezent në të gjitha debatet dhe nuk duhet t’i ikin debateve sepse për këtë është përgjegjës vet VV, pra ata duhet të jenë të pranishëm në media”, potencon analisti për Gazeta Blic.

Ai shton se mediat e bëjnë punën e tyre dhe gjuha e Kurtit ndaj tyre është e tepër, teksa thotë se ai ka lobuar edhe në diasporë kundër mediave.

“Mediat e ushtrojnë punën e tyre dhe atë që marrin si informacion e transmetojnë edhe çdo vendim i qeverisë komentohet nga analistët, ndarja duhet të bëhet kush analist e kush gazetar kur flasin, pra kush është më profesional e njeh mirë punën e qeverisë dhe shtetit, mendoj se Kurti e ka tepruar shumë me mediat me fjalorin e tij dhe ai ka bërë në diasporë lobizim kundër mediave në Kosovë e kjo është kot, në diasporë mund të kalojë si marketing i mirë por në Kosove nuk kalon fare”, deklaron Blerim Burjani./Gazeta Blic/

 

Kurti s’dëshiron ta komentojë sulmin e djeshëm ndaj mediave: Flasim në vende të tjera, herë të tjera

AGK-ja e dënon gjuhën e rrezikshme të kryeministrit Kurti kundër medieve