Lajme

“Familjarët për dasma”/ Opozita kritikon Kurtin për punësimet në KOSTT: Po shpërfaqet mashtrimi i tij

12/05/2024 21:15
nga:Sh R

Kuvendi i Kosovës të enjten ka emëruar Lumnije Zekën, ish-bashkëshorten e Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe Gëzim Tosunin, që raportohet të jetë nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it.

Lidhur me këtë çështje, opozita ka kritikuar pushtetin.

Në një prononcim për GazetaBlic, deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se pushteti i Kurtit në ikje vazhdon rehatimin e familjarëve nëpër insitucionet publike, duke e shpërfaqur mashtrimin e kryeministrit Kurti se familjarët janë për dasma e jo për institucione.

Haxhiu për qeverinë Kurti thotë se është nepoiste dhe e korruptuar, duke përfituar për vete dhe Kosovës duke i vënë sanksione.

“Pushteti i Kurtit ne ikje vazhdon rehatimin e familjarëve nëpër institucione publike duke shpërfaqur sheshazi mashtrimin e Albin Kurtit se familjarët janë për dasama e jo për institucione. Qeveri nepotiste e korruptar që përfiton per vete, ndërsa Kosovës i vendosin sanksione”, tha Haxhiu.

Njësoj mendon edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, i cili thotë se ky vendim është një shembull tjetër që tregon se qeveria Kurti nuk po i përmbahet parimeve dhe premtimeve që ka bërë kur erdhi në pushtet.

Lekaj për GazetaBlic thekson se ky veprim dëmton besueshmërinë e qeverisë dhe forcon perceptimin se nepotizmi po bëhet praktikë standarde në institucionet publike.

“Ky vendim është një shembull tjetër që tregon se Qeveria e Kurtit nuk po i përmbahet parimeve dhe premtimeve që ka bërë kur erdhi në pushtet. Vetë kryeministri Kurti kishte deklaruar se “familjarët janë për dasma, jo për punë shtetërore”, duke e vënë theksin te lufta kundër nepotizmit. Emërimi i bashkëshortes së ministrit Liburn Aliu dhe nipit të zv.kryeministrit Besnik Bislimi në Bordin e KOSTT-it është në kundërshtim të hapur me këtë qëndrim. Kjo jo vetëm që dëmton besueshmërinë e qeverisë, por edhe forcon perceptimin se nepotizmi po bëhet praktikë standarde në institucionet publike. Për më tepër, KOSTT-i është një institucion strategjik në sektorin e energjisë dhe këto emërime ngrenë pikëpyetje serioze nëse vendimet janë marrë në bazë të meritës apo afërsive familjare”, tha ai.

Tutje, Lekaj thotë se qytetarët duhet ta mbajnë mend këtë gjë kur të japin verdiktin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

“Ky rast dëshmon qartë se fjalët e kryeministrit nuk po përputhen me veprimet e qeverisë së tij, gjë që qytetarët duhet ta mbajnë mend kur të japin verdiktin e tyre në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Lekaj./GazetaBlic/