Dukagjini pati performancë shumë të mirë në Kupën e Kosovës duke e mposhtur Dardaninë me rezultat 6-2.
Një nga realizatorët e këtij takimi ishte, Albion Pllana i cili për GazetaBlic Sport komentoi mbi rëndësinë e kësaj fitore dhe ndeshjes së radhës së Dukagjinit ndaj Dritës.
“Tashmë të gjithë e dimë se rruga më e lehtë e daljes në Evropë është nga Kupa e Kosovës. Synimi ynë është që çdo ndeshje në kupë t’i qasemi me seriozitet maksimal, duke e ditur që xhiroja e ardhshme e Kupës luhet në muajin shkurt. Me rikthimet nga lëndimet të disa bashkëlojtarëve, besoj se do të jemi kundërshtar shumë i fortë për çdo skuadër!
Në aspektin personal, është gjithmonë një ndjenjë e bukur kur shënon. Goli, normalisht, ta rrit besimin dhe të motivon për të punuar edhe më shumë!
Sa i përket ndeshjes me Dritën, pa marrë parasysh kundërshtarin, në çdo ndeshje qasemi në të njëjtën mënyrë, gjithmonë për rezultat pozitiv. I respektojmë të gjithë, por nuk i frikësohemi askujt”, tha Pllana për GazetaBlic Sport.



