Kandidati i LDK-së për deputet, Besim Mulaj, ka nderuar sot heroinën dhe dëshmoren e kombit, Mervete Maksutaj, duke u përkulur para shtatores së saj, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi guximin dhe sakrificën e Mervetes, e cila humbi jetën duke u përpjekur të shpëtonte bashkëluftëtarët e saj në Pejë.
Mulaj ndau kujtimet e tij personale, duke e përshkruar Merveten si një frymëzim të pazëvendësueshëm, një mikeshë dhe shoqe të fëmijërisë, që kaloi kufijtë e kohës dhe gjithmonë shprehte dashuri për vendin e saj.
Ai e cilësoi atë si një shembull të pashembullt të përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.
E plotë:
Sot pata nderin e madh të përkulem para shtatores së heroinës dhe dëshmores së kombit, Mervete Maksutaj. Një vajzë e guximshme, një ushtare unike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila dha jetën për lirinë tonë. Ajo u vra nga forcat policore serbe teksa po përpiqej të shpëtonte bashkëluftëtarët e saj të plagosur në spitalin e Pejës.
Për mua, Mervetja nuk është vetëm një emër i madh në historinë e Kosovës – ajo ishte pjesë e kujtimeve të mia më të bukura të fëmijërisë. U rritëm në të njëjtin fshat dhe ndamë shumë momente së bashku, duke marrë pjesë në aktivitetet kulturore të organizuara me përkushtim nga dëshmori i kombit, Nazmi Muzliaj, në vitet e vështira të ’90-ve.
Ajo ishte një frymëzim që kalonte kufijtë e kohës dhe rrethanave – gjithmonë plot energji, guxim dhe dashuri për njerëzit dhe vendin e saj.
Sot, ndërsa përkulem me respekt para shtatores së saj, ndiej një përzierje krenarie dhe dhimbjeje. Krenari për sakrificën e saj sublime dhe dhimbje për humbjen e një mikeshe, një motre, një shpirti të çmuar që na la shumë herët.
Mervetja është dhe do të mbetet një shembull i gjallë i dashurisë dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Lavdi jetës dhe veprës së saj!


