Lajme

ATK: Mbi 90 milionë euro më shumë të hyra këtë vit

12/03/2024 16:32
nga:Sh R

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se deri më 30 nëntor të këtij viti janë mbledhur 883.6 milionë euro tatime.

Sipas ATK-së, kjo vlerë e të hyrave është tregues i fuqishëm i punës profesionale të stafit të Administratës Tatimore, e cila padyshim shtetit i garanton stabilitet financiar e ekonomik. Të hyrat e inkasuara për këtë periudhë janë hiç më pak se 90.7 milionë euro apo 11.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Se ka performancë të jashtëzakonshme, këtë së fundi e ka vlerësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN, sipas të cilëve ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët është më lartë se vendet në zhvillim, si dhe në 5 nga 8 indikatorët është mbi mesataren e vendeve të zhvilluara”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas FMN, ATK ka bërë përparim të dukshëm në krijimin e një sistemi tatimor funksional, në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe në forcimin e planifikimit strategjik, menaxhimin e rrezikut të përmbushjes dhe funksionet themelore të Administratës Tatimore. Mbledhja e të hyrave si në vlerë e po ashtu edhe si përqindje të BPV-së, tregon një trend të vazhdueshëm të rritjes.