Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritut aktakuzë kundër të pandehurit E.Ll., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës, ndër të tjera, cekët se i pandehuri E.Ll., më parë e deri më 7 tetor të këtij viti, rreth orës 15:00 në Gjakovë, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ka poseduar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, nga ana e zyrtarëve policorë, janë gjetur dhe sekuestruar 99 qese plastike me substancë narkotike të llojit kanabis që përmban THC, me peshë neto të përgjithshme prej 601.87 ± 0.0001 gram, si dhe një peshore digjitale, të gjitha të sekuestruara në vendin e ngjarjes nga hetuesit policorë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet tutje në komunikatë.